TIRANE, 31 mars 2013– Kryeministri Berisha ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve.

Përmes një mesazhi në Facebook, kryeministri uron shqiptarët që vitin e ardhshëm Pashkët t`i gjejnë edhe më mirë.

“Mirëmëngjes të dashur miq! Le t’iu urojmë sëbashku të gjithë besimtarëve të krishterë katolik dhe protestant, por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, Gezuar Pashkët, ditën e shpresës së pashuar dhe të përjtësisë, ditën e ringjalljes së Krishtit, Hyjit që pas kryqëzimit u ringjall për të ndryshuar aq shumë botën dhe moralin e shoqërisë njerëzore” shkruan kryeministrit Berisha në Facebook.

Urimi i Nishanit

Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka uruar gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. “Pashkët me anë të simbolit të përsosjes përmes sakrificës, na japin shembullin aq të vyer të rrugës sa të mundimshme dhe të bukur drejt Virtytit. Pashkët na kujtojnë dhe na ngjallin Shpresën, që aq shumë na nevojitet, për jetën tonë, për punët tona, për familjet tona, për të ardhmen tonë. Pashkët na rievokojnë rëndësinë e të rënit dëshmor të njeriut për njeriun” ka theksuar në mesazhin e tij të urimit për besimtarët Nishani

Sipas tij, pashkët na rikujtojnë rëndësinë e Pasionit krishtëror dhe njerëzor dedikuar lartësimit të Njeriut, por, mbi të gjitha, Pashkët na kujtojnë Ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore dhe qiellore, për të cilën kemi aq nevojë.

“Në këtë mënyrë, dhe për këto arsye, Pashkët ju sjellin juve dhe të gjithëve Kumtin divin se sakrificat për një jetë të denjë janë një domosdoshmëri që duhet përballuar, pavarësisht nga rrethanat sado të vështira, pavarësisht nga vuajtjet sado të mëdha”- shkruan Nishani.

Ai ka kujtuar besimtaret se ne jetojmë dhe vdesim, Krishti vdiq dhe jetoi, Krishti u ngjall, edhe ne do të ringjallemi.

“Si dhe t’ju kujtoj gjithashtu, se po të mendojmë nga pak çdo ditë për Sakrificën e Krishtit, bëhemi më të mirë, më të urtë, më të butë, më të dashur, më të njerëzishëm, për vete, për tjetrin, dhe për të gjithë. Në këtë ditë të shenjtë të Pashkës ju uroj secilit prej jush dhe familjeve tuaja dashuri, lumturi, paqe, miqësi, kthjelltësi” ka theksuar kreu i shtetit.

 

Urimi i Topallit 

Me rastin e kësaj feste Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli uroi besimtarët me një urim në Facebook. “Pashkët janë një kremtim që Zoti e risjell çdo pranverë”, thekson Topali në mesazh. 
Mesazhi i plotë 
“Për shumë vjet Pashkët! 
Pashkët janë festë që na japin forcë për të ecur Përpara. Sot, besimtarët katolik me familjet tyre, me fëmijët tyre do të festojnë ditën e mrekullisë, ditën e triumfit të jetës. Pashkët, në fakt janë simbol i triumfit të besimit. Pashkët janë reflektim për sakrificën e Krishtit. Pashkët janë një premtim që Zoti e risjell çdo pranverë. Fryma e Pashkëve është shpresë, është dashuri, është gëzim i jetës. Në këtë ditë të shenjtë, është koha të shohim vlerat që na bashkojnë, t’i gëzohemi familjeve tona, njerëzve tanë të dashur, fëmijëve tanë e t’u japim atyre bekimin për një jetë sa më të gëzueshme, për një jetë sa më të bukur. Ju uroj të gjithëve, Pashkë të mbushur me gëzim e jetë, bashkë me familjet e fëmijët tuaj. Zoti ju bekoftë të gjithëve ju shqiptarë kudo që jeni! 
Miqësisht, Jozefina”.