Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot në mesnatë Pashkët, të cilat simbolizojnë ringjalljen e Krishtit, ringjalljen e jetës dhe të shpresës.
Në urimin e tij për besimtarët, at Gjerasin Çakalli nga katedralja e apostul Pavlit dhe shën Astit në Durrēs vuri theksin në rëndësinë e kësaj feste mjaft të rëndësishme për besimtarët, të cilët do të jenë në kishë sot në mesnatë për të ndjekur nga afër meshën dhe për të trokitur vezët e kuqe me njëri-tjetrin duke përcjellë urimin për Pashkë të gëzuara dhe mbarësi në të gjitha familjet shqiptare.
Pashkët janë momenti, që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
“Është një udhëtim shpirtëror. Ne para 10 javëve kemi nisur përgatitjet si komunitet, priftërinjtë dhe besimtarët. Duke bërë këtë përgatitje vetë Kisha na ndihmon që përveç lutjeve tona personale kemi dhe lutjet këtu në kishë, himnologjinë e kishës etj. Erdhi më në fund dita që ne sot festojmë ngjalljen e Krishtit. Shpresoj që Perëndia të na bekojë dhe uroj të gjithë besimtarët ortodoksë, por edhe gjithë të krishterët anembanë: Gëzuar për shumë vjet! Kur fiton Krishti, fitojmë edhe ne. Gëzuar për shumë vjet Pashkët 2025!”,- tha at Gjerasin Çakalli.
Festa e Pashkëve është dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë dhe kremtohen nga besimtarët katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën. Këtë vit Pashkët katolike dhe ato ortodokse përkojnë në të njëjtën datë.