Krerë të shtetit dhe politikës si çdo vit uruan besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës. Kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin me një postim për pashkët “Mirëmëngjesi Gëzuar Pashkët Ortodokse”, shkruan ai.
Presidenti Bajram Begaj shkruan se kjo festë na fton të jemi shpresëplotë për jetën dhe të mbështesim njëri-tjetrin, ndërsa një urim nuk mungoi as nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
“Rrugëtimi i Krishtit është më i larti shembull i përkushtimit. Në natën e acartë të dimrit, Jezusi lindi për të gjithë ne.
Në botën e trazuar ku jetoi, u shërbeu me përdëllim të gjithëve. Nga vuajtjet e shkaktuara prej zemërimit, urrejtjes dhe lëndimeve, u kryqëzua për të gjithë ne”, shkruan Nikolla.
Nga radhët e opozitës urimet për më shuma paqe e begati erdhën nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje”, shkruan Meta.
“Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi. Nga mot gëzuar”, shkruan Basha.
Besimtarët kremtuan Pashkën, ndërsa morën pjesë në meshën e shenjtë të ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin.