Benjamin Spencer, i dënuar padrejtësisht nga një gjykatë në Teksas, çka bëri që ai të kalonte 34 vite burg për një vrasje në vitet 1980, u shpall të enjten, i pafajshëm.
Ai tha se megjithëse nuk mund ta kthente kohën pas, ishte i lumtur e do të bënte përpara.
“Jam i emocionuar që më në fund kjo ditë erdhi”, tha zoti Spencer, tashmë 59 vjeç.
Një gjykatës i qarkut të Dallasit miratoi një mocion nga zyra e prokurorit të qarkut për të hedhur poshtë një akuzë kundër zotit Spencer, për grabitje të rëndë. Ai u dënua fillimisht për vrasjen e Jeffrey Young në vitin 1987, gjatë grabitjes së makinës së tij.
“Është një ditë e mirë”, tha avokatja mbrojtëse, Cheryl Wattley, e cila ka punuar me çështjen e zotit Spencer prej më shumë se 20 vitesh. “Po përpiqem shumë të mos qaj”, tha ajo më tej.
Zonja Wattley vlerësoi Prokurorin e Qarkut Dallas, John Creuzot, që e trajtoi çështjen me seriozitet.
Zoti Creuzot tha se ai ishte “i lehtësuar dhe se kishte vepruar me përulësi për të ndihmuar në korrigjimin e kësaj padrejtësie”, siç tha ai.
Dëshmitarët e prokurorisë, përfshirë një informator që ndodhej në burg e që po kërkonte ulje dënimi, kishin dhënë dëshmi të rreme, tha zoti Creuzot. Ai shtoi se prokurorët në atë kohë nuk i kishin dhënë mbrojtjes prova që e përjashtonin zotin Spencer nga krimi, përfshirë gjurmë gishtërinjsh.
Ndihmësprokurorja e qarkut, Cynthia Garza, e cila drejton Njësinë e Integritetit të Dënimit tha se: “nuk ekziston asnjë provë e besueshme ose fizike që ai të ishte përfshirë në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimit”.
Zoti Spencer është një nga 60 personat e shpallur të pafajshëm, që ka kaluar periudhën më të gjatë në burg, sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Shfajësimeve.
Sipas ligjeve të Teksasit, zoti Spencer gëzon ndër të tjera të drejtën për të marrë një pagesë prej rreth 80,000 dollarësh për çdo vit që ka kaluar në burg tha avokatja e tij zonja Wattley.
Ajo shtoi se zoti Spencer po përpiqet ta jetojë jetën e tij me nder dhe “duke u përpjekur të jetë një shembull nga i cili të tjerët mund të frymëzohen”./VOA/