Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku pas shumë kërkimesh është gjetur i pajetë trupi i 20-vjeçarit Riccardo Merkuri, pjesë e një familjeje shqiptare që jeton prej më shumë se dy dekadash në Pollenza, Itali.

Roja Bregdetare e Civitanova Marche dhe zjarrfikësit zhvilluan kërkime intensive për afro 24 orë, përfshirë edhe gjatë natës. Trupi i të riut u gjet pak pas mesditës dje në det. Sipas dyshimeve paraprake, ai mund të jetë hedhur në ujë, por nuk përjashtohet as mundësia e një rënieje aksidentale. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar duke iu afruar zonës së detit, ndërsa automjeti i tij u gjet i parkuar pranë vendit të ngjarjes.

Ngjarja vjen pas një episodi të rëndë dhune të ndodhur të premten në mbrëmje në banesën e familjes. Sipas mediave italiane, i riu kishte dhunuar nënën e tij, 53-vjeçaren Albana Kastriot, e cila pësoi fraktura në fytyrë dhe u shtrua në spitalin e Maceratës. Fatmirësisht, jeta e saj nuk është në rrezik, por pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.

Familja shqiptare njihet në zonën e Pollenzës. Nëna punon si estetiste, ndërsa babai është biznesmen. Ishte pikërisht ky i fundit që ngriti alarmin rreth orës 22:00 të së premtes, pas incidentit të ndodhur në ditëlindjen e 20-të të djalit.

Rrethanat e konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Kur forcat e rendit mbërritën në banesë, i riu nuk ndodhej më aty. Kërkimet nisën menjëherë dhe përfunduan me gjetjen tragjike të trupit të tij në det.