Duket se figura e kryetarit të PS-së dhe kryeministrit të vendit Edi Rama po lidhet gjithnjë e më shumë javët e fundit me figurat e mitologjisë greke.
Pasi ministrja Edona Bilali e quajti Zeus, këtë herë ka qenë biznesmeni i peshkut Gjergj Luca që e ka idealizuar atë si Poseidoni mitik, zoti i detit.
Posteri gjigand, ku Rama portretizohet në formën e Poseidonit, me tridhëmbëshin e tij të pandarë është vendosur mbrëmë në darkë në sheshin “Nënë Tereza”, aty ku do të mbahej paneli për bujqësinë, por mëngjesin e sotëm ai ishte zhdukur. Në vend të tij, pjesëmarrësit në këtë panel shijuan dengjet me kashtë, mbi të cilat u ulën gjatë kohëzgjatjes së panelit.

Në karikaturën gjigante, disa metra të lartë e të gjerë, tridhëmbëshi i Ramës shigjeton trenin e ministrave të tij, ku shfaqen ministrat dhe ish-ministrat që kanë drejtuar dikasterin e bujqësisë ndër vite, si Niko Peleshi, Frida Krifca, Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi.
I njohur si mik i kryeministrit Rama, Gjergj Luca i drejtohet me ironi Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa ngre lart kreun e qeverisë: Oj ti shoqe, ne të peshkut nuk kemi nevojë për lekë. Kemi Poseidonin!
Jo më larg, se sot, ishte ministri i drejtësisë Ulsi Manja që tha në Kongresin e PS-së: Duhet të jemi realistë. Edi Rama i fiton zgjedhjet, ne thjesht menaxhojmë votat!
Gjithnjë e më shumë, kulti i kryeministrit Rama vjen e forcohet mes drejtuesve socialistë dhe biznesmenëve që gëzojnë mbështetjen e tij.





