Zhvillimet e vrullshme social-ekonomike në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, kanë sjellë pasiguri të mëdha në radhët e të rinjve. Duke u bazuar në statistikat zyrtare, sociologët thonë se rënia e ndjeshme e numrit të martesave dhe rritja e numrit të divorceve, e vendosin familjen shqiptare në krizë. Sipas tyre papunësia e lartë në radhët e të rinjve me afro 20%, emigracioni, dhe informaliteti në ekonomi janë arsyet kryesore që ata e shtyjnë moshën e martesës. Studiuesit thonë se pasojat e këtij fenomeni do të sjellin plakjen e popullsisë dhe thellimin e raportit negativ mes kontribuesve dhe përfituesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Zyrtarët thonë se kanë marrë masa për të rritur punësimin dhe sigurinë e të rinjve në tregun e punës, por efekti i tyre për ekspertët është ende i ulët.
Në Shqipëri gjatë viteve të fundit po vihet re një fenomen shqetësues për studiuesit e zhvillimeve shoqërore, ai i rënies së numrit të martesave. Në dekadën e fundit ato janë tkurrur me rreth 18% krahasuar më atë paraardhëse, dhe po kaq në vitin 2021, ose me rreth 4 mijë më pak, krahasuar me mesataren e 5 viteve të fundit. Studiuesit mendojnë se të rinjtë sot e shtyjnë moshën e martesës të kushtëzuar nga disa faktorë, që lidhen me karrierën, arritjet profesionale, punën dhe të ardhurat financiare. Sipas statistikave të INSTAT, sot papunësia në radhët e të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç është mbi 20%, ose 10 pikë përqindje më e lartë se niveli i papunësisë në tërësi. Këto tregues sipas ekspertëve ulin mundësitë për krijimin e familjes dhe të sjelljes në jetë të fëmijëve. Zëri i Amerikës pyeti disa qytetarë, mes tyre dhe të rinj, mbi këtë fenomen. Ata veçuan si pengesën kryesore, për krijimin e martesës, mundësitë e kufizuara ekonomike.
“Duhet parë me zhvillimin e shoqërisë. Tani secili do të jetë i pavaruar, martesa është obligim. Njerëzit kanë shumë pasiguri”– u shpreh për Zërin e Amerikës, Gresilda Merkaj, studente.
“ Pengesë është ekonomia e dobët, tradhëtia. Të rinjtë nuk i besojnë më martesës, dashurisë, besimi është shkëputur. Ka shumë faktorë që nuk arrijnë sot të rinjtë njerëzit të binden për martesën”– tha për Zërin e Amerikës Anxhela Kollozaj, studente.
“ Nuk martohen sepse nuk janë të sigurt, shtëpi s’kanë, punë s’kanë dhe nuk kanë siguri për jetën”– vijoi Xhevat Hysenaj, qytetar nga Tirana.
Sociologët vërjenë se në prag të një martese, hyjnë disa faktorë në lojë, ku kryesoret janë, puna, të ardhurat dhe strehimi.