Kryeministri, Edi Rama ka reaguar pas akuzave të bëra nga ana e opozitës se kreu i ekzekutivit kishte kërcënuar SPAK-un gjatë asamblesë së partisë Socialiste të mbajtur ditën e sotme.

Rama i konsideroi këto akuza si “për të qeshur e për të qarë” ndërsa shtoi se deklarata e tij nuk kishte të bënte me kërcënime por me thirrjen që të mos veprohej më njëanshmërisht në goditjet e bëra.

Më tej kryeministri theksoi se PS nuk do të luante më rolin e “mumjes” në goditjet e SPAK-ut.

Kryeministri Edi Rama në Twitter:

Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAKUN sipas nongratave që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t’i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi! Për mua e për #PS SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur!

Por gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht! Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më!