Nga Artan Fuga

Covidi, shkolla, kultura e kombit

Fatmirësisht pandemia e Covidit 19 sikurse erdhi u largua.
Ose kujtuam se pasojat e saj janë larguar.

Unë nuk jam mjek. Nuk di se çfarë pasojash ka lënë Covidi mbi shëndetin e njerëzve, sa vaksina ka ndihmuar të përballohet, apo ka shkaktuar pasoja mbi shëndetin tonë.

Nuk di dhe nuk flas, pavarësisht se shumë njerëz ankohen për simptoma që nuk i kanë pasur më parë.
Por, kjo nuk do të thotë se i kanë pasur nga Covidi. Mund të mos kesh qenë sëmurë dhe sëmuresh. Gjithmonë ka njëherë të parë. Pse nuk ka ndodhur nuk do të thotë se nuk do të ndodhë.
Ajo që di me siguri maksimale është se Covidi ka lënë pasoja të rënda në shëndetin mendor të brezit nga tre deri njezetetre vjeç. Kjo është e sigurt.

Arsyeja është e thjeshtë. U ndërpre shkolla për dy a tre vjet dhe funksionoi keq edhe më shumë.
Kisha kujtuar se universitarët kishin paguar çmimin e rëndë. Por, kur shoh se çfarë ka ndodhur me ata që dikur kanë qenë nga dhjetë ose trembëdhjetë vjeç dhe si manifestojnë simptoma të rënda në aftësitë konjitive, në kulturë, në formimin logjik, në strukturimin e informacionit, lemerisem.

Pasoja qenkan afatgjatë.
Unë jam gati t’i provoj para çdo komisioni ose hetuesi.
Apo edhe gjykate popullore.

Disa nga këto pasoja janë:
1. Humbja e memorjes për gjëra që duhet të kenë qenë të mësuara.
2. Krijimi i hapësirave pa njohuri, të zeza, ose të bardha krejt.
3. Krijimi i shkëputjeve logjike në arsyetim dhe midis sistemeve të ndryshme të njohurive.
4. Moskuptimi i informacionit të parë dhe eventualisht lezione neurologjike konjitive që dëmtojnë aftësinë për të arsyetuar.
5. Dobësim i aftësive të abstraksionit sidomos në arsyetimet deduktivo-logjiko-matematikore, etj.
Këto kanë ardhur si nga dëmtimi i funksionit të shkollës, si nga tronditja psikologjike e ardhur nga izolimi, si nga mosndjekja e nxënësve nga mësuesit në mënyrë të rregullt,
si nga ulja e kërkesave në kushte panbdemie, etj.

Kjo do të thotë që efekteve e drejtpërdrejta të Covidit 19 do të vazhdojnë së paku për 20 – 25 vjet, dhe meqë këta do të edukojnë ata që vijnë, brezin tjetër, do të thotë se pasojat afatgjata do të vazhdojnë edhe 20 – 25 vjet të tjera, duke shpresuar për një rikuperim të plotë në 50 – 70 vite.

Thënë kjo del se pasojat e Covid 19 mbi kulturën, nivelin arsimor, shkollën aftësinë racionale të kombit do të zgjasin sa ky shekull, pra do të jenë karakteristika kulturore dhe e aftësive mendore kombëtare e shekullit 21.
Kësaj nuk ke ç’i bën, por për ta lehtësuar dhe masat që duhen marrë për shërimin e shëndetit mendor kombëtar ka nevojë për strategji.

Shpresoj që ky alarm të kuptohet dhe të interesohen se çfarë duhet bërë.
Mos kujtoni se resultatet e testit të Pisas, largimi nga shkolla, rezultatet e ulëta, veç punës së dobët dhe shumë të dobët të shkollës, nuk kanë lidhje edhe me pasojat afatgjata të lëna nga pandemia e Covidit.

E kanë gabim të rëndë ata drejtues, politikanë, menaxherë publikë që kujtojnë se pasojat e Covidit janë vetëm mbi shëndetin fizik, apo se pasojat e pandemisë kaluan.
Gabojnë rëndë.