Pas takimeve të shumta të nivelit të lartë të zhvilluar gjatë 12 muajve të fundit në një përpjekje për të zgjidhur krizën e borxhit të zonës euro, gjendja në fund të 2011-tës ishte më keq sesa në fillim të vitit. Mes pasigurisë rreth aftësisë së zonës me 17 vende të euros për t'i mbijetuar trazirës në formën e tanishme të saj dhe rreth vetë së ardhmes së monedhës së përbashkët, Evropa pritet të bjerë përsëri në recesion.

Kriza e borxhit, që filloi në Greqi më 2010, u përhap në Irlandë e Portugali dhe vazhdoi drejt vendeve kryesore të zonës euro, si Italia dhe Spanja, ekonomitë e treta e të katërta më të mëdha në klub. Në 12 muajt e fundit, agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit ulën vlerësimin e një numër vendesh të euros, përfshirë Qipron e Greqinë. Ato treguan gjithashtu se edhe Franca, ekonomia e dytë më e madhe në zonë, mund të humbasë vlerësimin e saj me tre A.

Kriza e zonës euro-nuk ka dritë në fund të tunelit

Greqia e mbetur pa para, u zhyt më thellë më 2011, me kërcënimin e falimentimit të varur mbi kokën e saj si një shpatë e Demokleut. Duke u ndeshur tashmë me një borxh të madh kombëtar që është në rritje, vendi futi një sërë masash shtrënguese për të shkurtuar shpenzimet publike. Duke parë se gjithnjë e më shumë para po u ikin nga xhepat e tyre, mes papunësisë në rritje, grekët u përgjigjën me protesta e greva masive.

Në fund të tetorit, udhëheqësit e zonës euro ranë dakord në parim mbi një paketë të re shpëtimi, me vlerë 130 miliardë euro, për të ndihmuar vendin ballkanik që të shmangë falimentimin. Vetëm pak ditë më pas, George Papandreu, kryeministri grek atë kohë, tha se do të thërrasë një referendum kombëtar mbi marrëveshjen.

Veprimi i papritur i tij zëmëroi udhëheqësit evropianë, me disa që duke thyer një tabu prej një kohe të gjatë sugjeruan mundësinë e largimit nga zona euro të një apo më shumë anëtarëve.

Brenda pak ditëve, Papandreu braktisi vendimin e tij për referendumin, dha dorëheqjen dhe u zëvendësua më 11 nëntor nga teknokrati Lukas Papademos, i cili kryesoi një qeveri të përkohshme koalicioni të ngarkuar me përfundimin e marrëveshjes jetike të ndihmës me BE dhe FMN.

Shpejt pas kësaj, Kryeministri italian Silvio Berluskoni dha dorëheqjen. Ish-Komisioneri i BE-së Mario Monti, gjithashtu një teknokrat, mori kontrollin, në një përpjekje për të shpejtuar miratimin dhe zbatimin e një plani shtrëngues.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të fundit të bllokut prej 27 vendesh më 9 dhjetor, 17 udhëheqësit e zonës euro vendosën të shkojnë drejt një integrimi më të madh dhe politike bashkërendimi ekonomik më të fortë. Ata ranë dakord gjithashtu se vendet që zbulohet se shkelin rregullat e BE-së mbi deficitin publik dhe borxhin e qeverisë duhet të përballen automatikisht me sanksione.

Bullgaria, Rumania dhe vendet e tjera të Bashkimit jo-anëtare të zonës euro, me përjashtim të Britanisë, thanë se do të bashkohen me paktin, që pritet të nënshkruhet në mars pas diskutimeve, që do të përqendrohet gjithashtu në mekanizmat ekzistues dhe të ardhshëm të shpëtimit të zonës euro.

Udhëheqësit evropianë ranë gjithashtu dakord në takimin e nivelit të lartë se elementi përbërës i Përfshirjes së Sektorit Privat të paketës së re të shpëtimit të planifikuar për Greqinë, që detyron kreditorët privatë të marrin një humbje prej 50% në aksionet greke të tyre, kishte dështuar e nuk do të përdoret përsëri.

 

Vendet jo-anëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor janë të prekshme ndaj pasojave të trazirës në zonën euro, tha Banka Botërore në një raport të fundit. Tregtia është një nga fushat kryesore në ekonomitë e rajonit që do të preket nëse gjendja përkeqësohet, që do të çojë gjithashtu në një rënie të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në këtë pjesë të Evropës. Një rrezik tjetër i mundshëm rrjedh nga fakti se pjesa e bankave në zotërim të huaj, veçanërisht greke e italiane, në pasuritë gjithsej të sistemit bankar të rajonit janë në rreth 89%

“Për Greqinë, është e qartë se udhëheqësit kanë mësuar nga gabimet e të kaluarës”, tha Drejtori i Qendrës së Politikës Evropiane Josef Janing. "Ka një shprehje të qartë se qethjet për Greqinë ishin një përjashtim dhe do të mbeten një rast." Ndërsa hollësitë e masave të tjera të caktuar ende pritet të bëhen të qarta, ai shprehu rezerva ndaj idesë së sanksioneve.

"E gjithë ideja e sanksioneve ka një dobësi thelbësore — ajo ndëshkon vendet me para të tjera kur atyre tashmë u mungojnë paratë," tha Janingu.

Vendet jo-anëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor janë të prekshme ndaj pasojave të trazirës në zonën euro, tha Banka Botërore në një raport të fundit. Tregtia është një nga fushat kryesore në ekonomitë e rajonit që do të preket nëse gjendja përkeqësohet, që do të çojë gjithashtu në një rënie të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në këtë pjesë të Evropës. Një rrezik tjetër i mundshëm rrjedh nga fakti se pjesa e bankave në zotërim të huaj, veçanërisht greke e italiane, në pasuritë gjithsej të sistemit bankar të rajonit janë në rreth 89%.

 

Komisioneri: një vit i mirë për procesin e zgjerimit të BE-së

Pavarësisht nga problemet ekonomike që kanë tronditur themelet e BE-së, 2011 ishte një vit i mirë për procesin e zgjerimit të mëtejshëm të bllokut, sipas Komisionerit të Zgjerimit të BE-së Stefan Fyle.

Më 30 qershor, Kroacia përfundoi bisedimet e pranimit të saj me Brukselin dhe pastaj nënshkroi Traktatin e Pranimit të saj me Bashkimin në takimin e nivelit të lartë të tij në Bruksel më 9 dhjetor. Vendi tani pritet të bashkohet me bllokun si vendi i 28-të anëtar i tij më 1 qershor 2013, me kusht që kroatët ta miratojnë atë veprim në një referendum mbi çështjen, të planifikuar për më 22 janar dhe pastaj vendet e BE-së të ratifikojnë traktatin.

"Pavarësisht nga fakti se BE po trajtonte kryesisht çështjet e brendshme të saj, stabilizimin e ekonomisë dhe monedhën e përbashkët, pati përparim të dukshëm në procesin e zgjerimit" më 2011, tha Fyle më 29 dhjetor.

"Një zhvillim tjetër i rëndësishëm [përveç traktatit me Kroacinë] ishte se Komisioni [Evropian] ishte në gjendje-mbështetur në reformat e bëra-, të rekomandonte fillimin e bisedimeve me Malin e Zi dhe dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë," shtoi ai. "Të dy vendet kanë tani afate të qarta kohore për ta arritur këtë."

Sipas përfundimeve të takimit të nivelit të lartë, Mali i Zi mund të nisë bisedimet e anëtarësimit të tij me BE në qershor 2012. Që të ndodhë kjo, raporti i Komisionit Evropian (KE) duhet të tregojë se vendi ka bërë përparim në zbatimin e reformave në fushat e shtetit të së drejtës e të drejtave thelbësore dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Serbia mund të konfirmohet si një kandidat zyrtar i BE-së në takimin e nivelit të lartë të bllokut në mars. Disa nga kërkesat që duhet të përmbushë përfshijnë përparimin e mëtejshëm në marrëdhëniet me Kosovën dhe lejimin që EULEX dhe KFOR të ushtrojnë mandatet e tyre.

Fyle vuri në dukje më tej se më 2011 KE rekomandoi "për të tretën herë me radhë" që të hapen bisedimet e pranimit me Maqedoninë. Për më tepër, një "rendi i ri pozitiv i ditës" filloi me Turqinë, "për të ruajtur vrullin e reformave", shtoi ai, duke theksuar se "bisedimet e pranimit janë kuadri më i mirë për të vazhduar përpjekjet e reformave në Turqi."

Greqia ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë për shkak të mosmarrëveshjes prej një kohe të gjatë për emrin mes të dy fqinjëve. "Të thuash se Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret për nisjen e bisedimeve me BE, por se kjo nuk mund të ndodhë për shkak të asaj çështje dypalëshe dërgon një mesazh shkurajues… jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin," tha analisti maqedonas Vladimir Bozhinovski.

Komisioneri i pa hapat e ndërmarra në Shqipëri në muajt e fundit për të ringjallur procesin politik atje si "inkurajuese". Ai përshëndeti gjithashtu "marrëveshjen politike mbi formimin e qeverisë së nivelit shtetëror dhe nisjen e disa reformave evropiane," që u arrit nga partitë kryesore politike në Bosnjë dhe Hercegovinë më 28 dhjetor, duke i dhënë fund një bllokimi prej 14 muajsh.

"Në përgjithësi, të gjithë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor e dinë se ç'farë duhet të bëjnë me qëllim që të shkojnë më pranë BE-së; kemi identifikuar pikat e forta si dhe ato të dobëtat në raportet e përparimit të tetorit dhe do të vlerësojmë përparimin e tyre gjatë muajve të ardhshëm, duke i ndihmuar e këshilluar ato siç kemi bërë gjithë kohës," përfundoi Fyle.

Bullgaria dhe Rumania nuk arrijnë të fitojnë pranimin në Shengen

Bullgaria dhe Rumania ishin caktuar fillimisht që të bashkoheshin me zonën e udhëtimit të lirë evropian në mars 2011. Ndonëse u gjetën të kenë përmbushur kriteret teknike, nuk ishin në gjendje të arrinin atë qëllim deri në fund të vitit.

Disa vende të BE-së këmbëngulën se të dy vendet e Ballkanit nuk do të lejohen të bëhen pjesë e zonës me 25 vende. Në dhjetor 2011, Holanda ishte i vetmi vend ende kundër pranimit të Bullgarisë e Rumanisë në zonën Shengen, që kërkon miratimin njëzëri nga të gjithë anëtarët.