Pastori i kishës ku Dr. Flori shkonte çdo të dielë, Fitor Muça, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se kishte qenë në minutat e fundit të jetës së këngëtarit. Ai tha se është telefonuar nga bashkëshortja e këngëtarit dhe sapo ka mbërritur në shtëpi ka gjetur Albanin, vëllain e Dr. Florit. “Sapo mbërrita pashë që u qetësua, pasaj u bë pak më keq dhe gjendja u bë e papërballueshme.”

DURRËS, 18 nëntor 2014 –  Pastori, mik i Dr. Florit ka zbuluar edhe një tjetër fakt të rëndë që është vonesa e ambulancës.

“E kishin marrë urgjencën në telefon, por ajo nuk po vinte megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë. Ata thoshin vetëm që nuk kemi ambulancë për momentin pasi është diku tjetër. Bashkëshortja e tij, ka marrë djalin në dorë dhe ka shkuar tek ambulnaca e lagjes ku i kanë thënë që ta sjellin familiarët në urgjencë. Por kjo ishte e pamundur pasi Flori ishte shumë i rëndë.” Pastori tha se gjithçka mbaroi rreth orës 10.05 ndërsa kur mbërritën mjekët gjithçka kishte mbaruar. “Si ka mundësi që t’i thuhet një nëne të re me një fëmijë në krah silleni këtu të sëmurin, kur mjekët mund të shkonin në këmbë për të ndihmuar një njeri” – tha pastori Muça.

Ai shtoi se në dijeninë e tij, Dr. Flori kishte kohë që e kishte lënë atë rrugë, pasi para pak kohësh dhuroi gjak. Ai kërkoi gjithashtu që mos publikohen lajme të pakonfirmuara për jetën e tij.

/Gazeta Express/