Pastori i kishës ungjillore të Tiranës, Taulant Kreci, në një prononcim për “DurrësLajm”, tha se është bashkëpunimi i mjekëve vullnetarë nga SHBA, dhe i kishës Ungjillore që u finalizua me projektin katër ditor të kryerjes së vizitave falas për banorët.
“Japim shërbim mjekësor falas, kontroll të përgjithshëm, patolog, okulist e dentist. E prisnim që do të kishte kaq shumë njerëz. Por ju themi që jemi këtu për katër ditë me radhë në ndihmë të njerëzve në nevojë. Jemi për t’ju dhënë ndihmë të gjithë njerëzve nevojtarë, atyre që nuk kanë mundësi ta marrin këto shërbime, dhe e gjitha falë ndihmës vullnetare dhe ndihmës nga Zoti”, pohoi pastori i kishës.
Projekti:
Janë një grup vullnetarësh prej 50 vetash, 20 mjekë amerikanë, (okulist, dentist, patolog etj.) dhe 30 të tjerë personel ndihmës që duke nisur nga sot, 11 korrik deri në 14 korrik, kryejnë shërbime falas për komunitetin pranë shkollës 9-vjeçare “Këneta” në Durrës. Shërbimet dhe ilaçet bazike (të sjella nga USA) janë falas për komunitetin.
K.H.





