Tiranë, 8 prill 2014  – “7 politikanë po hetohen që prej vitit të shkuar për pastrim parash, por ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes”. Kështu deklaroi sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Genti Gazheli, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. 

Teksa raportoi mbi punën e kryer nga institucioni i drejtuar prej tij për periudhën janar 2013 – dhjetor 2013, Gazheli theksoi se është vënë re një rritje e numrit të të dyshuarve. 

“Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barazvlefshme me gjithë vitin 2013”, – nënvizoi Gazheli. 

Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave theksoi se pavarsisht vullnetit të mirë që mund të kenë drejtuesit e këtij institucioni, prokuroria është një hallkë problematike. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/