Pas një 2020-e me ulje dhe ngritje, që kaluan baret dhe restorantet (këto struktura shërbimi bashkë me klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e Covid-19 në muajin mars) konsumi në këto njësi edhe për 2021 është me rënie.

Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve thotë për “Monitor” se përveç krizës nga Covid-19 te rënia e konsumit të restoranteve ka ndikuar edhe fenomeni i pastrimit të parave. Jahaj pohon se pastrimi i parave ka shtuar hapjen pa kriter të tyre, duke ndikuar edhe te rënia e xhiros të restoranteve të tjera. “Konsumi në restorante është i vakët, nuk është fluid. Hapja pa kriter e restoranteve të reja dhe pasiguria e klientit kanë ndikuar te rënia e konsumit. Hapja pa kriter e tyre ka ndodhur për shkak të parave të pista që riciklohen shpejt në këto struktura shërbimi, ndryshe nga ndërtimi”, thekson përfaqësuesi i shoqatës të Bareve dhe Restoranteve.

Pastrimi i parave nëpërmjet këtyre strukturave pritet të vijojë edhe për vitin 2022. “Për sa kohë nuk ka një formular autodeklarimi për investimet që kryhen dhe nuk i kontrollo kush ky fenomon do të vazhdojë edhe për vitin që vjen.”

Të dhënat e INSTAT, që janë të disponueshme deri në tremujorin e dytë të këtij viti konfirmojnë që konsumi në bare e restorante është ende poshtë niveleve të parakrizës. indeksi i vlerës ishte 17% më i ulët se e njëjta periudhë e vitit 2019, ndonëse treguesi është me rritje të ndjeshme në krahasim me tremujorin e dytë 2020, kur vendi ishte në karantinë.

Në të njëjtën linjë edhe punësimi është ulur në sektorin e bareve e restoranteve, në krahasim me para-pandeminë. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2021, indeski i punësimit ishte 39% më i ulët se në të njëjtën periudhë të 2019-s.

Sipas INSTAT, në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.

Në tërësi sipas përfaqësuesit të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve aktualisht konsumi shfaqet 20-30 % më pak se vjet. Arsye tjetër e rënies të konsumit është edhe pandemia që krijoi një model të ri për konsumatorin. “Covid 19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe konsumi për baret dhe restorantet ka rënë ndjeshëm. Përpos kësaj kemi përpara edhe krizën energjetike dhe për pasojë klientët janë tkurrur në shpenzime”.

Jahaj thotë se për shkak të orës policore (6:00 deri 23:00) është vëne re rritje e frekuentimit të restoranteve jashtë Tiranës në këtë periudhë festash, pasi kufizimi i orarit nuk ndihet në zonat jashtë kryeqytetit, ndërsa disa kazino në Tiranë po funksionojnë se pube.

Në muajin maj 2020, pas hapjes të ekonomisë deri në përfundim të verës xhiroja e restoranteve dhe bareve arriti të rikuperohej. Në periudhën vjeshtë-dimër qarkullimi te këto biznese iu rikthye sërish rënies me rreth 40% krahasuar me 2019, për shkak të uljes të frekuentimit. Rënia e xhiros te bizneset e shërbimit të pijeve dhe ushqimeve ka vazhduar edhe në muajt e parë të 2021 për shkak të rënies të konsumit dhe orarit të kufizimit të lëvizjeve. Në muajt e verës xhiroja e bareve dhe restoranteve arriti të rikuperohej, për shkak të sezonit të turizmit dhe ardhjes të turistëve. /Monitor