Bashkia e Durrësit vijon përgatitjet për sezonin turistik. E gjithë kjo javë është java e pastrimit të gjithë vijës bregdetare të Durrësit.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka inspektuar punën që po bëhet dhe ka qenë në njësinë e Katundit të Ri në një zonë ku përveç bregut ranor ndodhet edhe një sipërfaqe pyjore prej 116 hektarësh, e cila është një pasuri jo vetëm për Durrësin por për të gjithë vendin.
Kryebashkiakja Sako deklaroi se i gjithë bregdeti po pastrohet dhe njëkohësisht po kryhet edhe plugimi i rërës ndërkohë që kjo do të pasohet edhe nga dezinfektimi. Po kështu kryebashkiakja Sako theksoi se shumë shpejt do të fillojë edhe lidhja e kontratave për stacionet e plazheve në bazë të hartës së miratuar nga qeveria shqiptare.
Kryebashkiakja Sako i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që jo vetëm t’i bashkohen nismës së Bashkisë për pastrimin por edhe të kontribuojnë vazhdimisht për të mbajtur pastër mjedisin sepse, theksoi ajo, të gjithë bashkë duhet të punojmë për Durrësin turistik ku pritet që ky sezon të jetë një sezon normal.





