Paraditen e sotme, deri në orën 11.00, nënat me fëmijët deri në 10 vjeç kishin liridalje, ndërsa burrave, krahas karantinimit në shtëpi, Rama u ngarkoi mbrëmë një detyrë.

“NE BURRAT PUNË SHTËPIE DHE KONTRIBUT NË GATIM MUNDËSISHT”,– shkruante Rama me shkronja kapitale, një natë më parë në rrjete sociale.

Duket se njëri nga burrat të paktën e ka marrë seriozisht këshillën e kryeministrit dhe sot i ka shkruar nëse mund të dilte dhe ai pasi i kishte bërë të gjitha punët; kishte pastruar shtëpinë, larë pjatat, hekurosur rrobat, madje edhe kishte bërë drekën.

Por përgjigja e Ramës ka qenë e menjëhershme: “Mos luaj vendit dhe fillo laj xhamat!”

Burrat, por edhe gratë, janë tashmë në pritje, se çfarë do t’u këshillojë Rama për javën e ardhshme. Mirë që koronavirusi na “ka dashur fort” deri tani dhe nuk është shfaqur në formën e tij më agresive në Shqipëri, pasi ndoshta kryeministri nuk do të kishte nguruar t’u këshillonte çifteve të qëndronin larg njëri-tjetrit dhe të mos kishin marrëdhënie, sepse për të mirën e atdheut do duhej zbatuar porosia e dhënë përmes kanalit të tij të preferuar të komunikimit, rrjeteve sociale.