Largimi i Amadu Latif i cili u shit në Bjellorusi te skuadra e Shakhtyor Soligorsk, ekip ku luan edhe Elis Bakaj, ka lënë një gropë të madhe në sulmin e Teutës.

Kjo për vetë faktin pasi nga durrsakët është larguar golashënuesi më i mirë i kampionatit, autori i 9 golave në dy fazat e para. Për djemtë e detit do të jetë e vështirë të gjejnë pasuesin e bomberit ganez.

Objektivi i parë i trajnerit Bledi Shkëmbi për sulmin është kroati Tomislav Busic, por nëse ky i fundit nuk largohet dot me marrëveshje nga Flamurtari, atëherë Teuta e ka edhe pistën rezervë, bëhet fjalë për një sulmues bullgar që quhet Radoslav Vasilev dhe që aktualisht aktivizohet në kampionatin e vendit të tij me skuadrën e Cherno More me të cilën ka realizuar 9 gola në 33 ndeshje.

28-vjeçari është gjithashtu pjesë e kombëtares bullgare teksa numëron edhe 6 sfida të luajtura dhe 1 gol të realizuar pikërisht në fitoren 1-0 të Bullgarisë ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve.