Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një deklarate për mediat nga Drejtoria e Policisë Elbasan, theksoi se Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve, e cila parashikohet të kalojë te MB, do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik.
“Jemi pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan për të inauguruar një investim të vogël, por shumë të rëndësishëm, i cili është kryer në kuadër të një programi të qeverisë suedeze. Është një program që vazhdon prej vitesh. Thashë një investim i vogël, por që përsëritet shumë herë dhe që bëhet shumë i madh në se e marrim në tërësinë e tij. Vetëm në qarkun e Elbasanit është e hera e dytë që vijmë. Para disa kohësh kemi qenë në Librazhd, tani këtu në Elbasan. Ky investim kryesisht adresohet ndaj nevojave të të miturve, të cilët përfshihen në ngjarje kriminale, qoftë si viktima, qoftë si të prekur, qoftë si pjesëmarrës, në mënyrë që ata të trajtohen në përputhje me standardet më të mira europiane. Me këtë rast i shpreh falënderime qeverisë suedeze, e cila është angazhuar fort në këtë program prej vitesh, me një program, i cili shpërndahet në shumë pika të vogla, por që bën një investim i madh në fund të herës. Ashtu sikundër gjej rastin ta falënderoj edhe për angazhimin e djeshëm në kuadër të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë ku qeveria suedeze prapë ishte ndër kontributorët kryesorë në atë përfshirje dhe aksion të madh solidariteti të shumë vendeve të botës. Policia Shqiptare është e angazhuar fort për t’i trajtuar me shumë kujdes çështjet që kanë të në bëjnë me familjen në tërësi, me dhunën në familje, me fëmijët, për arsye se dhuna në familje na prodhon ende shumë probleme. Dhe kemi në objektivat e këtij viti prioritete të rëndësishme që i adresohen dhunës në familje. Së shpejti, do të kemi një konferencë të nivelit kombëtar për të adresuar pikërisht problematikën që lidhet me këtë çështje sensitive. Pra dhuna në familje dhe lufta kundër trafiqeve, e kryesisht të trafikut të qenieve njerëzore mbeten ndër dy prioritetet e mëdha të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për vitin 2020.”, tha Lleshaj.
I pyetur si do të administrohen pasuritë e grupeve kriminale, mninistri deklaroi se “administrimi nuk i ka kaluar ende Ministrisë së Brendshme, pritet t’i kalojë në të ardhmen e shpejtë përmes një ndryshimi ligjor. Ligji parashikon që pasuritë që do të konfiskohen për shkak të këtij ligji, do të kalojnë kryesisht për interes publik. Pra destinacioni i tyre do të jetë interesi publik. Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve, e cila parashikohet të kalojë te MB, do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik. Kur them funksion publik, besoj e kuptoni, shkolla, Qendra Shëndetësore, Komisariat policie etj.”





