Drejtori i inxhinierëve të Ferrarit, Pat Fry kërkon që skuadra e Ferrarit të qëndrojë e bashkuar dhe të vazhdojë përpara në rrugën e nisur sepse ajo që ka më shumë rëndësi në këto momente është puna për makinën e sezonit të ardhshëm. “Në Monza kaluam një fundjavë të vështirë por duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të përqendrohemi për të arritur rezultatet sa më të mira sepse do të jenë të nevojshme për paketën që kemi aktualisht. Në këtë fazë të sezonit, fabrika në Maranello po punon për makinën e vitit të ardhshëm. Gjithsesi, do të zhvillojmë shumë teste për të marrë sa më shumë të dhëna nga njëvendëshja F14 T e cila duhet të na ndihmojë për të përmirësuar sa më shumë makinën e sezonit të ri”. Në vijim, kryeinxhinieri i kokëkuqes u përqendrua te gara e kësaj fundjave në Singapor. “Temperaturat janë ende shumë të larta dhe në Singapor do të garojmë në rreth 30 gradë celcius. Duhet të jemi të kujdesshëm me sistemin e frenimit dhe atë të ftohjes së motorit. Marina Bay është një pistë qytetëse që kërkon një makinë perfekte nga ana aereodinamike”. Aktualisht, Ferrari renditet në vendin e katërt të klasifikimit për konstruktorë me 162 pikë, 15 më pak se Williams Mercedes që mban një pozicion më lartë.