26 prill 2015 – Prej gati 10 ditësh shoferët e automjeteve janë në ankth në lidhje me pikët që mund të humbin pas çdo kundravajtje penale. Me ligjin e ri, rrezikohet që nëse të hiqen 3 herë nga 5 pikë atëherë duhet të pësëritësh testin teorik.
Për të gjithë ata që kanë frikë se mund të kenë shkelur diku kodin rrugor mësohet se mund ta kontrollojnë online. Me anë të adresës www.e-albania.com duhet të regjistrohen me të dhënat personale e më pas te rubrika “Transport” verifikohet gjendja e pikëve.
Megjithatë, specialisti Nikonin Bërxhiku, në një intervistë për “Panoramën” tregoi sot se qytetarët duhen ta dinë se pikët nuk hiqen menjëherë. Për çdo shkelje ai tregon se qytetari njoftohet për t’u paraqitur nq Komisionin e Shqyrtimit të Shkeljeve Administrative të Policisë Rrugore, Me shpalljen e vendimit, ai që ka ankesa mund ta çojë çështjen në Gjykatën Administrative brenda 5 ditësh.
Nëse pranohet vendimi, paguhet gjoba dhe shikohet më pas në faqen e internetit pjesa e heqjes së pikëve.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





