Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj ka nënshkruar marrëveshjen me homologun turk për njohjen e patentave shqiptare në Turqi. Po ashtu ata nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera sa i përket shkëmbimit të diplomatëve si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ekstremizmit dhe terrorizmit.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura jo vetëm në lidhjet historike por edhe të mirë-vendosura në një rrafsh ndërveprimi intensiv dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare e partneritet të qëndrueshëm në NATO.

Mbështetja e ofruar nga Turqia në një prej orëve më të errëta të historisë së Shqipërisë do mbahet mend shumë gjatë. Por, natyra nuk kurseu as Turqinë. Shpreh ngushëllim për jetët e humbura nga tërmeti. Turqia vijon të jetë një ndër kontribuuesit kryesorë dhe mbështetës të Shqipërisë, por jo vetëm edhe të KFOR-it në Kosovë.

Njohim edhe kcënimet e sigurisë së Turqisë në kufijtë e saj, por edhe që ka mbajtur miliona refugjatë sirianë në vendin e saj. Ajo është një kontribut i përgjithshëm për sigurinë Europiane. Ne sot po ashtu kemi nënshkruar tre dokumente apo marrëveshje.

Marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e Lejeve të drejtimit”, e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe do të eleminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Së dyti, Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve, që do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Së treti, “deklaratën e përbashkët” ndërmjet dy ministrive që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit.”– tha Cakaj.

Vetëm një vit më parë Greqia njohu patentat shqiptare por marrëveshja u miratua në Parlamentin grek në janarin e këtij viti. Tashmë për marrëveshjen e re mbetet vetëm që parlamenti shqiptar dhe turk ta kalojnë.