Tirane, 25 korrik 2013 –  Tashmë në opozitë prej 3 ditësh ndodhet kryetari i ri i PD. Por përtej entuziazmit të shprehur nga ish-kryetari Berisha dhe kryetari i ri, Basha, duket se situata nuk është entuziaste sa duket brenda kësaj selie.  Nenkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar këtë garë si jo korrekte dhe false.

"Në PD, nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe unë thjesht nuk doja që të merrja pjesë në një proces që nuk ishte ashtu siç ne na takonte dhe kaq është gjithë ajo që unë mund të them për përfshirjen apo mospërfshirjen time në proces. Nuk ishte garë korrekte. Nuk ishte garë korrekte për shkak se fituesi ishte paracaktuar. Sigurisht që fituesi mund të paracaktohej apo mund të përzgjidhej dhe legjitimiteti i tij të mos cenohej, sepse ne kishim një garë brenda llojit dhe një garë kufijtë e së cilës dhe rregullat i përcaktoi në një farë mënyrë, kryetari i dorëhequr, Sali Berisha.Ne u vumë në kushtet e një gare të pabarabartë sepse ndodhi që shpenzuam energji të panevojshme për të krijuar një hendek mes demokratëve. Të jeni të sigurtë që demokratët nuk do ndaheshin kurrë me njëri-tjetrin për shkak të Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Absolutisht kurrë! Janë shumë të vegjël që të dy, megjithë cilësitë e mira që kanë dhe që unë i respektoj. Janë të vegjël për të krijuar çarje mes demokratëve sepse të dy kanë merita por edhe të meta.Sigurisht që mes demokratëve mund të krijohej një frakturë nëse në fillimin e garës u luajt me ndarjen e famshme oruelldiane të fermës së kafshëve ku të gjithë rivalët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët dhe në finishin e garës u hoqën dorezat dhe njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës, njëri ishte i Partisë Demokratike dhe tjetri s’dihej nga kishte ardhur. Në këto kushte sigurisht që gara u prish dhe ky ishte një gabim i rëndë për të cilin PD nuk kishte asnjë interes", është shprehur Patozi i ftuar ne Top Story .