TIRANE – Partia Demokratike shpreh besimin se tri ligjet e integrimit do të votohen me fillimin e sesionit të ri parlamentar për t’i hapur rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, opozita pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, nuk do të mundet më të bllokojë procesin integrues të vendit. “Kjo do të jetë hera e fundit besoj që Edi Rama do të ketë mundësinë të bllokojë statusin e kandidatit dhe skenarët janë disa. Skenari i parë është që shqiptarët të kenë mundësi të votojnë shumicën e integrimit, pra, një shumicë me 3/5. Kjo sigurisht që do t’i jepte fund gjithçkaje, pra shqiptarët do të kishin një shumicë integruese dhe kjo nuk është e pamundur. Por gjithsesi nuk është skenari i vetëm. Dhe në rast se Edi Rama do të humbë thellë apo cekët në zgjedhjet e 2013-ës, unë kam bindjen që ai nuk do të ketë më mundësi që ta përdorë PS-në si kamikaze për të bllokuar aspiratat e vendit për t’u integruar në BE”, – tha Patozi në një prononcim të dhënë për “Albanian Screen”. 
 

KOALICIONI 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së duke folur dje edhe për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe aleancat e reja, e ka përjashtuar kategorikisht nga koalicioni, partinë e Bamir Topit, Frymën e Re Demokratike. Për Patozin, FRD-ja është një ëndërr politike, duke mos marrë në konsideratë peshën që mund të ketë ajo në zgjedhjet e reja parlamentare. “Partia Demokratike bën negociata dhe marrëveshje me realitete politike dhe jo me ëndrra politike. FRD është një projekt-ëndërr”, – vijoi Patozi. 
 

RIFORMATIMI 

Rreth 6 muaj larg 23 qershorit, Patozi vlerësoi ndërkohë se nuk ka kohë për riformatimin e së djathtës siç ka kërkuar një prej aleatëve kryesorë të demokratëve, Fatmir Mediu i PR-së. “Unë nuk besoj se është ky momenti i duhur dhe nuk besoj se kemi kohë të bëjmë një lëvizje të tillë kaq radikale para zgjedhjeve, të cilat në një farë mënyre po trokasin. Ajo që ka rëndësi sipas meje, është që ti të shkosh në zgjedhje me një formulë fituese dhe ne besoj se e kemi këtë formulë fituese”, – tha Patozi. 
 

NGËRÇI I KQZ 

Ndërkohë për ngërçin e krijuar në KQZ ai ka fajësuar socialistët, të cilët siç tha po dëshmojnë që tani se nuk do t’i njohin zgjedhjet. “PS mesa duket në paranojën e humbjes kërkon që t’i kontestojë zgjedhjet dhe t’i cenojë disa muaj para se sa ato të mbahen. Ky nuk është lajm i mirë. PD është krejtësisht indiferente për ndarjen e mandateve sipas qarqeve, sepse nuk është dëshira e PD-së ajo që do të ndryshojë mandatet, por është ligji”, – tha Patozi. PD është duke ideuar programin qeverisës dhe sipas Astrit Patozit, në fokus do të jenë projektet e ardhshme. Ndërkaq, fushata për një mandat të tretë do të nisë në janar, në aktivitetet e degëve në rrethe, që përkojnë me përvjetorët e krijimit të tyre.