Në ditën e tretë të vizitës së tij në Shqipëri, Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë Kirill u prit në një vizitë edhe nga kryeministri Edi Rama.

Patriarku rus vuri në dukje ndryshimet e vendit tonë që prej vizitës së tij në 2003, ku i njohu një pjesë të mirë të meritës së progresit, Ramës si kryebashkiak.

Jam vërtet shumë i impresionuar nga këto arritje që janë kryer në Tiranë, këto janë ndryshime vërtet të jashtëzakonshme.Sot i thashë zotit Anastas tani që kam ardhur për herë të dytë, pasi për herë të parë kam ardhur në 2003, unë nuk e njoh këtë vend. Tirana tani është vërtet qytet i bukur dhe merita më e madhe ju përket ju si kryebashkiak i Tiranës. Ju përgëzoj për ato vepra të mëdha që keni kryer në atë post. Është fati i Tiranës që për disa vite ky qytet është drejtuar nga njeriu i artit. Ju si artist e dini shumë mirë se çështjet estetike luajnë riol shumë të madh në jetën e njeriut. Estetika është shfaqja e jashtme e harmonisë. Por kur flasim për harmoninë, nuk flasim vetëm për gjërat e jashtme por edhe ato të brendshme. Tani mund të theksoj edhe njëherë lidhjen e ngushtë mes punës së njerëzve të kulturës dhe punës së kishës. Dhe Andrei Rublev i ka krijuar kryeveprat e tij sepse në atë kohë mishëroi eksperiencën e tij shpirtërore.