Patrice Evra, një prej yjeve të përfaqësueses së Francës dhe lojtari me eksperiencën më të madhe, kishte vetëm elozhe për Shqipërinë dhe tifozët kuqezi në përfundim të sfidës në Marsejë. Ekskluzivisht për mikrofonin e Supersport, mbrojtësi i Juventusit uroi Kombëtaren shqiptare për atë që paraqiti në Velodrome, pavarësisht humbjes në minutat e fundit.

Patrice Evra: “Kemi luajtur kundër Shqipërisë në miqësore, ku humbëm dhe barazuam në shtëpi. Kur luan kundër Shqipërisë është e vështirë, sepse këta lojtarë japin maksimumin për fanellën. Nuk e di kush mendonte që mund të fitonim lehtë, por ne lojtarët dhe trajneri i respektojmë kombe të tilla, sepse japin maksimumin dhe janë vërtetë të rrezikshme. Fola edhe me trajnerin dhe i thashë që meritonin barazimin kundër Zvicrës, sepse kishin mundësi të shënonin në fund. Mund ti them vetëm BRAVO Shqipërisë, sepse luan me zemër dhe kanë tifozë të shkëlqyer, që erdhën të shumtë në Francë. Personalisht e dija që ishte ndeshje e vështirë. Urime Shqipërisë, sepse realisht zhvilloi një ndeshje të bukur.”

Patrice Evra nuk ndalet vetëm te vlerësime. 35-vjeçari pranoi se Shqipëria e meritonte barazimin përballë “gjelave” dhe nuk do të kishte vjedhur asgjë.

Patrice Evra: “Është e vështirë, sepse edhe ne edhe ata kishim raste. Por, nëse Shqipëria do të kishte marrë një pikë nuk do të kishte vjedhur asgjë. Dhanë gjithçka në fushë dhe ndoshta mund ta kishin merituar një barazim.”