Vangjush Dako e Armand Teliti kanë përplasur sërish “brirët” në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, për rrugën “Pavarësia” të Plazhit. Kjo ishte tema kryesore e debatit midis dy palëve. Në mes të debatit janë milionat e eurove që po investohen në plazh, në tre projekte, që sipas Dakos, kanë vlerë të përafërt prej 7 milionë Eurosh.
Të tre projektet janë koordinuar. Dy projektet e parë janë të Bankës Botërore në të gjithë gjatësinë e plazhit, me vlerë 5.1 milionë Euro, ku i pari është ndërtimi i rrjetit të ri të kanalizimeve, i dyti për rrjetin e ri të ujësjellësit, dhe i treti i Bashkisë që investon 2.5 milionë dollarë për rikualifikimin e zonës së plazhit. Dako sqaroi me detaje projektin e bashkisë për rrugën “Pavarësia”, ngushtimin e rrugës, parkingjet, ndërtimin e rotondave.
Dako iu përgjigj akuzave të ndërhyrjes që i është bërë rrugës në vitin 2014 dhe në vitin 2013, kur u ndërtua nga ish-kreu i bashkisë Lefter Koka.
Armand Teliti deklaroi se e gjithë rruga po çahet për të vjedhur fonde, por kjo bën që të dështojë turizmi dhe të pengohet puna e biznesit.
Teliti si shembull mori edhe investimet në bulevardin qendror të Durrësit ku janë thyer pllakat, po ashtu edhe në afërsi të bustit të Azem Hajdarit ku ka dëmtime të mëdha.
Ndërsa Shkëlqim Fortuzi përfaqësues i PD-së, anëtar i Këshillit Bashkiak, i ka bërë një analizë rënies së të ardhurave në buxhetin faktik të bashkisë për vitin e shkuar. Bazuar në mundësitë potenciale që mbart territori i bashkisë, të cilat nuk janë marrë në konsideratë në planifikim, sipas llogaritjeve të përafërta, paratë që i mungojnë buxhetit të vitit 2015, janë mbi 4 milionë Euro. Nga të dhënat e paraqitura nga Bashkia Durrës, në lidhje me buxhetin faktik të vitit 2015, rezulton se të ardhurat faktike të vetat, janë realizuar në masën 83% kundrejt planit, duke krijuar një deficit buxhetor prej 214 milionë lekësh, ose rreth 1.6 milionë Euro, shumë e cila do të kishte zgjidhur përfundimisht problemet e sistemimit të ujërave të zeza dhe problemet e kullimit në të gjithë territorin e bashkisë, ose do të ishin ndërtuar 4 shkolla të reja. “Në tre drejtime ka rënie të ardhurash, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e ALUIZNI-t dhe e biznesit”, tha Fortuzi.
Taksa e ndikimit ne infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ku përfshihen edhe të ardhurat nga ALUIZNI. Kjo taksë ka një mosrealizim prej 39% kundrejt planit, ose rreth 78 milionë lekë më pak. Ndërkohë që trumbetohet me të madhe se procesi i legalizimeve, po ecën me hapa “gjigante”.
Taksa e fjetjes në hotele
Nga kjo taksë janë arkëtuar gjithsej rreth 6 milionë lekë dhe sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se kanë fjetur në Durrës për vitin 2015 gjithsej rreth 17 mijë persona, ose mesatarisht 47 persona në natë. Faktet tregojnë se vetëm në një hotel me emër në qytetin e Durrësit janë akomoduar gjatë gjithë vitit mbi 30 persona në natë. Kjo tregon se në territorin e bashkisë tonë nga 220 hotele dhe motele, me kapacitet mbi 4 mijë shtretër, nuk arkëtohet asnjë qindarkë në buxhetin e bashkisë, pa llogaritur këtu apartamentet që jepen me qira, që janë me mijëra. Vetëm në periudhën e verës, sipas përllogaritjeve të bëra, duhet të arkëtohen mbi 50 milionë lekë nga këto hotele.
Tarifa e gjelbërimit nga familjarët
Kjo tarifë rezulton me mosrealizim prej 78 % ose rreth 9 milion më pak se planifikimi. I vetmi zë të ardhurash ka “tejkalim” mbi planin, janë të ardhurat nga gjobat, të cilat nga 12 milionw lekë të planifikuara, janë realizuar në shumën 25.6 milionë, ose rreth 118% më shume se plani, fakt ky që tregon se paaftësinë e administratës së bashkime për të mbledhur tatimet dhe taksat, duhet ta paguajnë qytetarët dhe bizneset nëpërmjet gjobave të majme.
K.H.





