Zyrtarë të prokurorisë së Los Angeles thanë sot se ‘nuk mund të hetojnë dot’ reperin e njohur amerikan Diddy pas publikimit të sulmit të dhunshëm ndaj ish-të dashurës së tij Cassie Ventura në një hotel.
Kjo sipas tyre prej ‘statutit të kufizimit kohor’ pasi sulmi i Diddy ndaj Ventura ka ndodhur më 5 mars 2016, dhe dritarja kohore ka skaduar.
“Nëse ngjarja e përshkruar ka ndodhur në 2016, ne nuk mund të ngrejmë akuza përtej kohës së përcaktuar të një krimi”, shkruante prokuroria e LA në rrjetet sociale.
Në Kaliforni statuti kufizimit kohor për sulm fizik të thjeshtë është një vit, ndërsa për sulm fizik të rëndë, tre vjet, kështu që sipas ligjit Diddy përjashtohet nga akuzat.
Publikimi i videos shkaktoi tronditje në publik prej ashpërsisë së dhunës ndaj të dashurës gati 20 vjet më të re, edhe pse dyshja janë ndarë me një marrëveshje dëmshpërblimi disa vjet më vonë.
Me herët raportohej video e publikuar fillimisht nga rrjeti CNN, ku reperi, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, ndjek Cassie gjysmë i zhveshur në korridorin e hotelit InterContinental dhe e kap nga flokët para se ajo të mbërrijë te ashensori, duke e përplasur përtokë.
Teksa vajza qëndron shtrirë pa lëvizur, Diddy e qëllon sërisht me shkelm dhe më pas e tërheq në dhomë nga veshja e saj.
Pamjet nga InterContinental Hotel datojnë nga marsi 2016.
Ironikisht dy ditë më vonë çifti janë paraqitur së bashku në tapetin e kuq të premierës së filmit “The Perfect Match” (Përputhja e përkryer).
Në një deklaratë për DailyMail.com, avokati i Cassie, Douglas Wigdor tha: “Video shokuese konfirmon më tej sjelljen e sëmurë e predatore të zotit Combs.”
“Fjalët nuk mund të shprehin guximin e zonjës Ventura që ka insistuar që diçka e tillë të publikohet”.
Cassie ka paditur Combs vitin e kaluar për dhunë, përdhunim e shkelje të tjera. Dyshja e mbylli çështjen jashtë gjykate, për një shumë të papublikuar.
Asokohe Cassie deklaroi: “Vendosa ta mbyll këtë çështje miqësisht për të pasur një masë kontrolli. Falënderoj fansat dhe familjen për mbështetjen”.
Megjithë pamjet e qarta të dhunës, avokati i Diddy tha se ‘mbyllja e cështjes’ nuk do të thotë pranim të fajit.