Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos theksoi edhe një herë se vetëm kur Shkupi të përfundojë me ndryshimet kushtetuese mund të anëtarësohet në NATO apo të fillojë negociatat me BE-në. Pavlopulos tha se sapo Shkupi të përfundojë këtë proces, Marrëveshja e Prespës do të shkojë për ratifikim në Kuvendin e Athinës.
“Zgjidhja e çështjes së emrit të bëhet në përputhje me historinë dhe të drejtën ndërkombëtare. Që të ndodhë kjo, siç kemi thënë qartë dhe është pranuar nga BE dhe NATO, duhet që vendi fqinj t’i bëjë ndryshimet e nevojshme në rendin juridik, para së gjithash në Kushtetutë. Vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi dhe sapo të vërtetohet se ndryshimet kushtetuese i përmbajnë të gjitha garancitë, atëherë mund të ekzistojë ftesë për anëtarësim në NATO apo fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Poashtu, vetëm atëherë mund të finalizohet përmbajtja e Marrëveshjes mes Greqisë dhe IRJM-së dhe të vijë për ratifikim në Kuvendin grek” – tha Prokopis Pavlopulos, President i Greqisë.
Presidenti gjerman, Frank Valter Shtajnmajer i cili ndodhet në Athinë, pas takimit me Pavlopulosin dhe kryeministrin, Aleksis Cipras, Shtajnmajer tha se marrëveshja është e guximshme, por shprehu keqardhje që rezultati i referendumit nuk dha zgjidhje përfundimtare.
“Erdha këtu ta shpreh respektin tim për përpjekjet e guximshme që investuat që të ekzistojë marrëveshje me IRJM-në, me vendin fqinj dhe shumë më vjen keq që rezultati i referendumit nuk dha zgjidhje përfundimtare. Shumica e atyre që votuan gjithsesi se ishte për këtë marrëveshje, e mbështeti, por kjo shumicë nuk ishte e mjaftueshme. Shpresoj që përpjekjet e investuara të mos shkojnë kot.” – u shpreh Frank Valter Shtajnmajer, President i Gjermanisë.
Ndërkohë Kryeministri grek, Cipras theksoi rëndësinë e madhe të Marrëveshjes së Prespës, duke u distancuar kështu nga propozimi i partnerit të koalicionit, Panos Kamenos për një marrëveshje të re rajonale.