Aty mund të gjesh flamuj kuq e zi, qeleshe me shqiponjën dy krenare, veshje kombëtare, kostume tradicionale të krahinave të ndryshme, qilima shumëngjyrësh, mbulesa tavoline të punuara me dorë, kartolina me pamje të ndryshme të qytetit, piktura të heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, ikonën e Nënë Terezës, e deri edhe fotot e politikanëve të sotëm të stampuara në gotat e ujit

Ndërsa 500 vjet më parë ushtarët e perandorisë osmane tentonin ta pushtonin atë, tashmë 500 vjet më pas porta hyrëse e kalasë së Krujës është pushtuar nga një numër i madh tregtarësh. Rruga që të çon në qytetin e vogël turistik, është e mbushur nga të dyja anët me pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa në brendësi të qytetit rrugicat janë të shtruara me kalldrëm. Krahas njohjes me një nga kalatë me historinë më të lavdishme të kombit tonë, kushdo që shkon në Krujë nuk mund të mos shohë larminë e produkteve të shumëllojshme që tregtohen në pazarin e qytetit. Meqë kalaja vizitohet thuajse në çdo stinë të vitit qoftë nga turistë të huaj apo vendas, tregtarët e kanë parë si një mundësi të mirë fitimi ekspozimin e mallrave të tyre fare pranë mureve të lashta të kështjellës së Skënderbeut. Gama e produkteve që të ofrohen aty është mjaft e gjerë duke nisur nga suveniret, prodhimet e artizanatit, bizhutë etj.

Suveniret karakteristike, në të cilat gërshetohet shumë bukur tradita e lashtë shqiptare me atë moderne, janë të punuara me mjeshtëri nga artizanët e zonës. Aty mund të gjesh flamuj kuq e zi, qeleshe me shqiponjën dy krenare, veshje kombëtare, kostume tradicionale të krahinave të ndryshme, qilima shumëngjyrësh, mbulesa tavoline të punuara me dorë, kartolina me pamje të ndryshme të qytetit, piktura të heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, ikonën e Nënë Terezës, e deri edhe fotot e politikanëve të sotëm të stampuara në gotat e ujit. Pra, me pak fjalë, një mini Shqipëri që përfaqësohet nga një larmi e madhe objektesh e modelesh të shumëllojshme. Kryesisht, siç tregojnë vetë tregtarët puna më e madhe bëhet në stinën e verës, atëherë kur numri i turistëve është shumë më i madh sesa në stinët e tjera të vitit. Siç rrëfejnë vetë ata, të huajt priren kryesisht drejt blerjeve të objekteve karakteristike si kostume popullore, qilima apo zbukurime të ndryshme të punuara me dorë; ndoshta duan të marrin pak Krujë për ta shpënë në vendet e tyre të origjinës. “Ata tregojnë interes të madh për prodhimet e artizanatit”,-  thotë një nga tregtarët,- dhe ne përpiqemi t’i japim shpjegime për pyetjet që ata na drejtojnë”. 

Ndër suveniret më të preferuara mbeten pjatat prej porcelani që vendosen në mur e ku është skalitur kalaja ose heroi ynë kombëtar. “Vitet e fundit,- thonë tregtarët ,-është shtuar mjaft edhe numri i vizitorëve nga Kosova, qoftë nxënës shkollash, qoftë individë të veçantë apo grupe turistike”. Po ndërsa shprehen se muzeu vazhdon vit pas viti të tërheqë vizitorë të shumtë, tregtarët ankohen për rënien e fitimeve të tyre. Kriza ekonomike që po ndihet në çdo sektor të jetës duket se i ka prekur edhe ata. Megjithëse fitimet kanë shënuar rënie vit pas viti shumë prej tregtarëve janë të detyruar të dalin për të shitur në vendin e tyre të përhershëm, pasi ky është i vetmi burim fitimi për ta dhe nuk kanë ku të sigurojnë punë tjetër.

Tregtarët

Ylli Abazaj, është një prej tregtarëve më të vjetër në sheshin para kalasë së Krujës. Ai ka 18 vjet që tregton mallra të ndryshme artizanale në këtë zonë. Sipas tij,- “krahasuar me vite më parë, puna ka rënë paksa. Ka ditë që nuk bëjmë asnjë lek xhiro, kjo edhe për shkak të motit të keq ose stinës në të cilën ndodhemi, por ka ditë që fitojmë deri në 3-4 mijë lekë të reja. Klientët më të mëdhenj i kemi nga Kosova ose turistë që vijnë nga vende të huaja, por nuk mungojnë as shqiptarët të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme për të parë kalanë e me këtë rast marrin edhe diçka kujtim nga ky qytet”,- tregon Abazaj. Në të njëjtën kohë ai thekson se gjithnjë është prirur për të tregtuar objekte të punuara me dorë, sepse ato janë më të preferuarat si nga turistët e huaj, por edhe prej vizitorëve nga brenda vendit. “Megjithëse kushtojnë më shumë sesa prodhimet kineze që kanë depërtuar në masë në tregun tonë, ata që i njohin vlerën e vërtetë janë gjithnjë të prirur t’i blejnë’,- thotë tregtari krutan. Tashmë kur stina e verës po afron dhe numri i turistëve të huaj ka nisur të rritet, tregtarët shpresojnë se do të sigurojnë një pjesë të mirë të fitimeve, që do t’u duhet t’i rezervojnë për periudhat kur fluksi i vizitorëve është shumë më i ulët.