Tani zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një kërkesë vetëm e Partisë Demokratike, por edhe e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Nga Dropulli, ku mori pjesë në ceremoninë e 25-vjetorit të themelimit të Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek (OMONIA), Vangjel Dule, që është edhe kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, tha se zgjidhja për ngërçin e krijuar ishin zgjedhjet e parakohshme.

“Nuk kemi produkt të reformës në drejtësi, – tha Dule. – Jeta institucionale e politike e vendit është në ngërç, vendi nuk qeveriset. Qeveria nuk është e përqendruar tek problemet e qytetarëve, por tek opinioni politik i reformës në drejtësi.”

“Me mbylljen e paketës së reformës në drejtësi duhet amenduar kodi elektoral dhe parlamenti i ardhshëm, që mund të dalë nga zgjedhjet në fund të pranverës, të implemetojë paketën e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi duke shmangur konfliktin për tre të pestat dhe dy të tretat, duke zhvilluar edhe referendumin,” – u shpreh Dule.