Tiranë, 25 korrik 2014 – Partia Demokratike vijon të kërkojë prej 15 ditësh reagim nga kryeministri Rama për incidentin mes deputetëve Ndoka dhe Strazimiri. 

“Prej 15 ditësh, opinioni publik pret një reagim nga Edi Rama, pasi është vërtetuar botërisht lidhja e tij me elementët kriminalë të cilët i ka sjellë në aulën e Parlamentit, në radhët e institucionit më të rëndësishëm në vend”-deklaroi deputeti i PD-së Adrian Turku. 

Më tej ai theksoi se: “Kur provohet publikisht, me dokumente dhe me dosjen e plotë penale, dënimi i deputetit Ndoka për Trafik Prostitucioni dhe Rrëmbim Personi, kryeministri i një vendi anëtar në Nato dhe që ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, minimalisht duhet të reagojë më një fjali. Aq më tepër, kur Edi Rama ishte vetë që provokoi opozitën duke thënë, a keni emër, a keni prova”

Deputeti Turku akuzoi kryeministrin se i përket botës së errët të aleancës me krimin.

“E vërtetë, Shqipëria është në NATO e ka fituar statusin e vendit kandidat, por Edi Rama i përket një bote tjetër. I përket botës së errët të aleancës me krimin, të përpjekjes për të krijuar një shoqëri të mbyllur, që dhunon opozitën, që kërkon të përgjojë cdo shqiptar në jetën e tij private, për të shantazhuar pastaj këdo që nuk mendon si ai. Prandaj Edi Rama hesht. Hesht duke dashur të tregojë se ai e ka futur vetë me firmën e vullnetin e tij në kuvend, një të dënuar me krime të rënda. Ai dëboi nga lista dy kandidate gra për ti hapur rrugën të dënuarit drejt parlamentit. Ai e urdhëron atë të sulmojë e të kërcënojë me jetë opozitën, sa herë që Edi Rama sikletoset nga denoncimet e Partisë Demokratike”- u shpreh Turku. 

Ai theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë lidhjet kriminale të Edi Ramës.

“Do të denoncojmë e do të bëjmë transparencë para qytetarëve.Ne nuk lejojmë që ky vend të bëhet vilajet privat i Edi Ramës dhe bandave të tij”-përfundoi Turku. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/