6 maj 2015 – Ka dalë me shifra konkrete Partia Demokratike, pas publikimit të raportit me mbipopullim të Durrësit nga zona të tjera të vendit. “Partia Demokratike prej disa muajsh po ndjek me vëmendje se si Vangjush Dako me larot e tij po përgatisin skemën për të deformuar vullnetin e qytetarëve durrsakë. Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit”, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.

Ai denoncoi faktin se kjo ka nisur prej muajsh dhe vetëm nga janari në prill janë 2702 persona të ardhur nga Vora, Preza, minibashkitë e Tiranës, Kavaja, Sukthi dhe rrethe të tjera.

“Për të bërë lëvizjen e vendbanimit duhet që të kesh një banese së paku të marrë me qera. Këtu hyn në skeme Drejtori i Ndërmarrjes së Plazhit në Bashkinë e Durrësit, Alfred Dhuli, vartës i Vangjush Dakos i cili u ofron atyre strehim provizor në pronat e Bashkisë Durrës në Plazh dhe Currila, me kontrata provizore, pa pagesë, dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak. Ai ka bërë kontrata ku ka sistemuar edhe dy familje me 8 anëtarë në 15 metra katror sipërfaqje banimi.

Krahas tij, strehim provizor ofron ortaku në biznesin e ndërtimit i Vangjush Dakos, anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili u “shet” të ardhurve të rinj apartamente ende të pandërtuara dhe këto kontrata shërbejnë për të realizuar ndryshimin e vendbanimit”, denoncoi Spaho.

Nga ana e KQZ u pranua që raporti të dorëzohet në prokurori.

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”