Tiranë, 15 gusht 2014 –  Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për media denoncon atë që e quan heshjte të qeverisë për dhunën e shtruar ndaj opozitës. 

“Përpjekja për ti mbyllur gojën opozitës me dhunë dhe me kërcënime për jetën, është një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në demokracinë tonë. I tillë ishte akti banditesk në parlament 36 ditë më parë. Edi Rama tenton ta relativizojë e minimozojë këtë zhvillim, duke heshtur. Hesht Edi Rama edhe kur publikisht mësohet se deputeti i tij, instrumenti i dhunës që ai përdor në parlament, rezulton me fakte e dokumenta, si i dënuar për trafik prostitucioni e rrëmbim personi. Por sa më shumë hesht Rama për dhunën ndaj opozitës, dhe për provat e inkriminimit të parlamentit, aq më shumë rriten përmasat e këtij skandali. Edhe më skandaloze bëhen këto përmasa, kur dihet se Kryeministri ishte porositësi i dhunës, dhe Kryeministri bëri cdo gjë që ta pasur në parlament Arben Ndokën”, thuhet në deklaratë. 

Në deklaratë thuhet se Partia Demokratike nuk do të lejojë vendosjen e këtij regjimi, ku sipas Edi Ramës është normale që të dënuarit për prostitucion dhe rrëmbim personi të bëhen deputetë. 

“Ne nuk do të lejojmë që të instalohet standardi i Edi Ramës, sipas të cilit dhunimi dhe kërcënimi me jetë i opozitës është një gjë normale. Qytetarët duan reagim dhe transparencë. Ndaj ne do të denoncojmë cdo ditë, kriminalizimin që Edi Rama po i bën zyrave të shtetit dhe Parlamentit”, përfundon deklarata.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/