Partia Demokratike ka reaguar për emërimin në postin e zëvëndësdrejtorit të përgjithshëm të Doganave Shqiptare të një ish-polici dhe të dyshuari për trafik lëndësh narkotike. “Një nga sejmenët e çiftit Tahiri-Shullazi, me lidhje të forta me këtë klan kriminal në aksin Tiranë-Durrës, është caktuar para disa javësh zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Doganave Shqiptare, në krye të antikontrabandës dhe hetimit doganor,” – tha sot Enkeleid Alibeaj, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike.

“Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Policisë i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës, – tha Alibeaj. – Prej disa javësh ky person, dhe përmes tij krimi, ka në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe antikontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve… Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga pika e kalimit kufitar në Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë.”