Partia Demokratike, nëpërmjet Enkelejd Alebajt, në një deklaratë për mediat, tha se dëshmitari që bëri të mundur dënimin e bandës së Lushnjës është lënë nga shteti pa mbrojtje dhe pa mbështetje. Sipas opozitës, dëshmitari i drejtësisë, në vend që të gëzonte privilegje, është lënë në mes të katër rrugëve, pa mbrojtje e pa mbështetje, por lufta e qeverisë ndaj tij shkon deri aty sa ai nuk regjistron dot as vajzën në shkollë.
“Denoncimi në media i Arben Kicës, që bëri të mundur dënimin e bandës së Lushnjës që solli drejtësi për krimet çnjerëzore të Aldo Bares, është tronditës dhe tregon se si ai trajtohet si armik nga çdo hallkë e shtetit, – tha Alibeaj nga selia blu. – Në vend se dëshmitari i drejtësisë të gëzonte privilegje, sipas ligjit, ai jo vetëm është lënë në mes të katër rrugëve, pa mbrojtje e pa mbështetje, por lufta e qeverisë ndaj tij shkon deri aty sa ai nuk regjistron dot as vajzën në shkollë. Ky rast skandaloz tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë, të Edi Ramës e Tahirit të tij, që bëjnë lloj-lloj paktesh me krimin, i ofrojnë lehtësi bandave e trafikantëve, dhe nga ana tjetër i nxijnë jetën një dëshmitari drejtësie.”