Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqimin e ligjit të qeverisë për pronat. Partia Demokratike vlerëson se ky ligj i qeverisë cënon të drejtën themelore të njeriut, që është prona, dhe heq sigurinë juridike. Për Partine Demokratike, ky ligj është një shpronësim i ri që u bëhet pronarëve. Deputetët Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi u shprehën për mediat pas dorëzimit në Gjukaten Kushtetuese të kërkesës.

"Ka disa elemente që ne gjatë gjithë kësaj kohe i kemi ngritur si shqetësime për faktin se ky ligj është antikushtetues. Së pari, ligji merr dhe vlerëson pronën në bazë të vendimit të momentit të shpronësimit të saj duke cënuar një parim shumë të rëndësishëm, të sigurisë juridike," – tha deputetja Tabaku.

"Besoj që çështja që duhet të fokusojmë qartë ne si Parti Demokratike është që për ne ish-pronarët janë një shtyllë identiteti e PD, elektorat i PD, ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë, e ndaj jemi këtu përpara Gjykatës Kushtetuese, që me këtë ligj të mos ndodhë diçka e papranueshme, rishpronësimi i pronarëve. Cënimi i drejtpërdrejt i parimit kushtetues i të drejtës së pronës nëpërmjet këtij ligji është flagrant. Pronarët rishpronësohen dhe ne, këtë, nuk do ta lejojmë në asnjë moment," – deklaroi deputeti tjeter demokrat Bylykbashi.