Ervin Salianji, pasi humbi garën për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, është emëruar në një detyrë të re në administratën qëndrore të Partisë Demokratike. Sipas një njoftimi nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike e ka emëruar Salianjin në detyrën e sekretarit për aksionin qytetar. Në fakt, edhe ky sekretariat është një strukturë e re dhe, në njoftimin e lëshuar, Partia Demokratike thekson se "ky sekretariat do të jetë në funksion të qytetarëve, zërit të tyre dhe nxitjes së tyre për mobilizim dhe aksion kundër arrogancës qeveritare, korrupsionit dhe padrejtësive."
Më parë, Salianji ishte pjesë e administratës së emëruar të Partisë Demokratike, ku kryente detyrën e drejtuesit të Departamentit për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut. Por, teksa u bë pjesë e garës për kreun e Forumit Rinor, ai u largua nga kjo detyrë. Për fat, ai departament u riorganizua dhe tashmë nuk ekziston më, ndërkohë që Salianji e humbi garën për t'u bërë pjesë e strukturave të zgjedhura drejtuese në Partinë Demokratike.
Partia Demokratike, duke krijuar një strukturë të re shtesë në tërësinë e sekretariateve që kishte, synon të shfrytëzojë eksperiencën e mëparshme të Salianjit, pasi ai "ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe problematikat e tyre."
Ervin Salianji është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
N. H.





