Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar sot se "parlamenti ka kryer një krim kushtetues." Basha iu referua Kuvendit, i cili nuk pranoi të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese papajtueshmërinë e mandateve të deputëve Rakip Suli dhe Valentina Leskaj. "Ose do të plotësojë detyrimet kushtetuese ose vendi zhytet në anormalitet edhe më të thellë, – tha Basha. – E para që duhet të ndodhë është ndalimi i këtij krimi kushtetues. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet zbatuar pa asnjë vonesë të mëtejshme. Themeli është Kushtetuta. Në këtë aspekt jemi të hapur për t'u angazhuar që të gjejmë instrumentat e duhura për të shmangur në të ardhmen përsëritjen e këtij krimi kushtetues dhe parandalimin e krizave kushtetuese."
Basha e bëri një deklaratë tillë, teksa doli në mbështetje të të rinjve që protestojnë kundër ndërtimit tek Parku i Liqenit Artificial, në Tiranë. "Protesta do të vazhdojë, qëndresa do të vazhdojë, përballja qytetare do të vazhdojë. Mbrojtja e ligjit dhe e Kushtetutës do të vazhdojë, – vijoi më tek Basha. – Mbrojtja e mushkërive të qytetit, mbrojta e qytetit do të vazhdojë dhe për këtë ne jemi më të vendosur se kurrë."





