Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa takoi banorët e Murqinit, deklaroi se, ndonëse është 23 km larg nga Tirana, askush nuk i sheh dhe dëgjon problemet e banorëve të këtij fshati. Banorët thonë se fshati përmbytet pese herë në vit, por asnjë fadromë nuk është parë në tre vjet për të pastruar kanalet kulluese. Gjovalini, një prej banorëve të Muriqinit, i tha Bashës se ka tetë pjesëtarë në familjen e tij dhe jeton me 150 mijë lekë të vjetra në muaj pension. Fshatarët thonë se prodhojnë misrin me 350 lekë dhe e shesin me 300 lekë. “Ndonëse kërkojnë edhe qindarkën e fundit të energjisë, asnjë investim s’kanë bërë. Për 2 km tel dritash i kemi mbledhur vetë lekët se asnjë investim nuk është bërë nga OSHEE, ndërkohë që faturat vijnë deri 9 milionë lekë,” – tha një banor.

Kreu i PD thekson se si Gjovalini janë me dhjetëra familje të këtij fshati. “Investime në infrastrukturë, kanalet kulluese dhe mbështetje për bujqësinë ishin kërkesat e banorëve. Situata kudo po përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa qeveria vazhdon të marrë borxh dhe të vjedhe paratë e qytetarëve. 1,1 miliardë euro ka marrë borxh dhe sot nuk kanë asnjë investim publik. 1 miliardë euro janë vjedhur vetëm gjatë vitit kaluar e qytetarët vuajnë për bukën e gojës,” – ka thënë Basha, sipas asaj që behet e ditur ne njoftimin për shtyp te PD.