Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me banorë të lagjeve "8 Shkurti" dhe "Kongresi i Përmetit", në Fier, ku, krahas dëgjimit të problemeve që ata kanë, ka shpalosur edhe alternativën dhe programin e Partisë Demokratike.

"Për të nesërmen, Partia Demokratike ka për Fierin, për banorët e Fierit, për të rinjtë e Fierit, për të papunët e Fierit, për tregtarët, për biznesin, për punëdhënësin, për fermerët, për të moshuarit, për të sëmurët, për nevojtarët , një vizion, një plan dhe mbi të gjitha vendosmërinë që këtë vizion dhe plan ta vërë në punë, ta vërë në jetë për t’i dhënë fund krizës ekonomike, krizës shpirtërore, depresionit që ka kapur Fierin e gjithë Shqipërinë," – tha Basha.

"Ndaj unë ju kërkoj që të bashkohemi edhe një herë së bashku për ta hedhur, për ta përmbysur edhe një herë oligarkinë. Kur them së bashku, them demokratë dhe socialistë, se e di që vuajtja nuk ka ngjyrë politike e në veçanti këtu në Fier është shpërndarë si njollë anembanë qytetit, anembanë fshatit. Të bashkohemi për të hedhur poshtë të keqen, e ti hapim rrugën vendit, ti hapim rrugën edhe forcave të tjera politike. Të ndjekim një shembull europian, një shembull amerikan të cilin Partia Demokratike, unë Lulzim Basha jam i vendosur ta ndjek me ndihmën dhe bekimin tuaj, me votën tuaj të lirë për t'i dhënë Fierit dhe Shqipërisë një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë," – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.