Kryetari i Partisë Demokratike ka nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takime me kongresmenë dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut.  Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi janë në qendër të axhendës së liderit të opozitës Lulzim Basha.

Në njoftimin e Partisë Demokratike theksohet se kryetari Lulzim Basha u prit në Washington nga drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut të Veriut. Në këtë takim të konceptuar si seancë degjimore, kreu i opozitës iu përgjigj interesit të zv/presidentëve të Këshillit të Atlantikut të Veriut, Damon Wilson dhe Fran Burwell, anëtarëve të bordit Ian Berzinski dhe Frank Kramer, mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rajon. E në veçanti mbi ecurinë e procesit  të dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në NATO, çështje të sigurisë, luftës kundër terrorizmit etj.

Kryetari i Partisë Demokratike e ka konsideruar të paprecedent për një vend demokratik dhe aq më tepër një vend anëtare të NATO që në parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge, plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit. Basha theksoi se sot në Shqipëri ka një përballje jo mes socialistëve dhe demokratëve, por mes shumicës dërrmuese të qytetarëve nga njëra anë dhe një grushti oligarkësh të cilët kanë futur në duart e tyre pasuritë publike, paratë e qytetarëve dhe janë të vetmit përfitues të tenderave dhe koncesioneve. "Shqipëria dhe shqiptarët janë sot para një sfide të madhe: Të largojnë të inkriminuarit nga politikbërja dhe administrata, të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të rikthejnë shpresën në vend. Këto sfida nuk janë të lehta, tha zoti Basha. Ky grup oligarkësh që kontrollon pasuritë e Shqipërisë do të kërkojë me çdo kusht të deformojë vullnetin e zgjedhësve, siç bëri në 2015, duke blerë vota, kërcënuar votuesit. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, tha zoti Basha është  implementimi i ligjit të dekriminalizimit. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe reforma në drejtësi janë prioritet i çdo shqiptari, përtej simpative partiake," – tha Basha.