Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook, ka përshëndetur 13 burrat dhe të rinjtë, të cilët u liruan sot pasi ishin arrestuar teksa protestonin kundër një ndërtimi në Parkun e Liqenit Artificial, në Tiranë. "Dolën të lirë, më të vendosur e me më shumë energji për t'i shërbyer kësaj kauze të qytetit, të vendit dhe demokracisë, – shkruan Basha. – Në sytë e në zërin e këtyre burrave ka vetëm vendosmëri dhe entuziazëm për të vazhduar me forcë betejën me tiraninë."

Teksa ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që u arrestuan, Basha thekson se "këta trima të kurajos dhe burrërisë qytetare nuk kanë qenë të vetëm për asnjë sekondë." "Dhe sot bashkë me demokratët e mbarë qytetarët e vendit jemi më të bashkuar e në shumicë absolute për të mbrojtur qytetin, ligjin, demokracinë para oligarkisë dhe bandës në ikje," – mbyll postimin e tij kreu i PD.