"Sot u provua se regjimi i Edi Ramës është një regjim antikushtetues dhe antiligjor, është një regjim i krimit dhe i dhunës," – tha Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike. Basha e bëri këtë deklaratë pasi doli nga mjediset e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në Tiranë, ku vizitoi të ndaluarit që protestuan kundër ndërtimeve në zonën e gjelbër pranë Liqenit Artificial.
Pas daljes nga Drejtoria e Policisë së Shtetit të Tiranës, Basha iu drejtua simpatizantëve të mbledhur, duke thënë se "sot u provua se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, qytetarët shqiptarë janë në anën e ligjit, janë në anën e së drejtës, janë në anën e Kushtetutës, dhe sot shteti ligjor, shteti i së drejtës jemi ne, krimi dhe regjimi oligarkik është përballë nesh."
"Këta mendojnë se me anë të dhunës, me anë të frikës do të mund të instalojnë regjimin oligarkik në Shqipëri dhe të zhbëjnë ëndrrën demokratike 25 vjeçare të shqiptarëve. Këta mendojnë se me anë të dhunës dhe përndjekjes policore mund të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me milionat që iu marrin shqiptarëve që rraskapiten nga mëngjesi deri në darkë, me vende pune që paguhen keq, apo që kërkojnë prej muajsh e vitesh vende pune e nuk gjejnë, për të ushqyer fëmijët e tyre. Këta kujtojnë se do të detyrojnë shqiptarët të marrin rrugën e emigracionit, rrugën e eksodit nga dëshpërimi e në këtë mënyrë ta kthejnë Shqipërinë në kopshtin e sundimit të oligarkëve, – tha Basha. – Kush mendon se me dhunë, frikë, me terror do ta ndalë një popull që të luftojë për vlerat e vërteta, për vlerat e lirisë dhe demokracisë, e ka gabim. Shqiptarët e kanë provuar njëherë e do ta provojnë përsëri. Dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron. Nuk e ndalon dot Edi Rama. Nuk e ndalon dot krimi. Nuk e ndalon dot oligarkia."





