Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me rastin e 7 marsit takoi disa mësues nga i gjithë vendi, dhe akuzoi qeverinë se ka degraduar arsimin, duke emëruar persona të dënuar dhe jo të aftë për profesionin e mësuesit. Basha veçoi emra konkretë të mësuesve të emëruar të cilët janë dënuar për vepra të ndryshme penale. Sipas kryetarit të demokratëve, cilësia në arsim, matet me investime dhe jo me retorikë politike. "Në fakt po e mban fjalën sepse po i detyron mësuesit më të kualifikuar më të mirë të shkojnë refugjatë në Europë duke i zëvendësuar ata me llumin e shoqërisë, me Istref Isufaj të dënuar me 1 vit burg për falsifikim dokumentash që ia konvertojnë punën në komunitet dhe puna në komunitet konvertohet në Drejtor i Shkollës së Mesme në Ballaban në Përmet. Me Liza Tabakun emblemën e Drejtorisë Arsimore të Lushnjes dhe terrorin që ajo ushtronte mbi mësueset, imoralitetin që ngriti në themel, rryshfetet prej mijëra eurosh. Me Mimoza Kuçin e cila po kështu u bë emblemë e rryshfetit këtu në Tiranë," – tha kryedemokrati Basha.
Kryetari i PD premtoi se nën qeverisjen e tij, arsimi do të jetë në qendër të vemendjes. "Përgjegjësi që nisin nga investimi tek mësuesit që nuk kanë parë një rritje rroge këto 3 vite por që për PD do jetë prioritet me rritje rroge dhe me specializime," – tha Basha.





