Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimet e reja në qeveri, emërime këto të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama që, sipas selisë blu, janë dëshmi të promovimit të personave me rekorde kriminale. Lulzim Basha, kryetari i partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, tha se "veprimet e kryeministrit shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje  janë një sfidë e hapur ndaj  mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë."

"Akoma pa u ngritur nga Rinasi avioni i sekretarit të shtetit, kryeministri Edi Rama, autori i promovimit të individëve me rekorde kriminale në  politikë dhe në poste të larta, përgjegjësi numër një për korrupsionin galopant në vend, ndërmori me nxitim disa gjeste dhe  veprime të menjëhershme që shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje janë një sfidë e hapur ndaj  mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë, – tha Basha. – Gjesti i parë, u  kujdes që ish-deputeti i tij i Lezhës, i larguar nga Kuvendi për dënimin që ka marrë nga gjykatat italiane si trafikant i qenieve njerëzore, të  prezantonte në një ceremoni prefektin e ri të Qarkut të Lezhës. Gjesti i dytë ishte dalja demonstrative në Kavajë dje përkrah Elvis Roshit, një tjetër subjekt i njohur ndërkombëtarisht i ligjit të dekriminalizimit dhe tallja publike me rekordet e tij… Por, karshillëku ndaj mesazheve  të vizitës historike të zotit Kerry shënoi një kulm me  të ashtuquajturat ndryshime  në qeveri e në radhë të parë me emërimin e Arben Ahmetajt në postin e ministrit të financave, një akt që ka  ngjallur indinjatë në mbarë opinionin publik për shkak të rekordeve që ka ky ministër si  i përfshirë në afera korruptive të njëpasnjëshme. Një akt që  ka shkaktuar ilaritet në shumë qarqe politike ndërkombëtare që merren me Shqipërinë."