Nëse mazhoranca nuk reflekton për kërkesat e opozitës, nesër do të bllokohen punimet e parlamentit. Ndonëse kjo gjë ishte bërë me dije edhe më herët, ky konfirmim ka ardhur nga kreu i Partise Demokratike, Lulzim Basha. "Sot me grupin e PD kemi diskutuar gjatë dhe vendimi është bllokimi i seancës së nesërme parlamentare nga PD, nëse mazhoranca nuk reflekton, se nesër është afati i fundit i zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Nesër nuk do të ketë protestë me vezë, por do të ketë bllokim të punimeve të parlamentit," – tha Basha.
"Dje, Këshilli i Mandateve dhe Regullores refuzoi të çojë Rakip Sulin, njeriun që merr me lopatë, si qera, milionat e kërbaçit dhe gjakut të shqiptarëve e nga ana tjetër vazhdohet me bllokimin e komisioneve hetimore, siç ndodhi dje me serverin e tatimeve, ku ish-ministri Cani nuk erdhi fare," – tha Basha me tej. "Kjo është një strategji e Edi Ramës për të goditur thelbin e marrëveshjes politike të arritur me ndihmën e parlamentarëve europianë, që ka të bëjë me reformat kyçe për vendin dhe është përshëndetur nga sekretari amerikan i shtetit, John Kerry." – vijoi ai.





