Kreu i opozitës ftuar liderin e mazhorancës që t'i bashkohet ftesës së tij për të diskutuar për reformën në drejtësi. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, gjatë mbledhjes se grupit parlamentar, tha se opozita është e gatshme për reformën. Por, sipas tij, “kjo reformë tremb kryeministrin Edi Rama.”
“Procesi i reformës në drejtësi, i cili nisi në mënyrë të njëanshme, sot ia ka dalë të kthehet në qendër të vëmendjes, – tha Basha. – Pyetja që shtrohet është kjo: A është reforma në drejtësi vërtetë prioritet për Ramën? Përgjigjen e kam, por i kërkoj të lërë mënjanë nazet dhe propagandën që e ka bërë zakon, t’i kthejë përgjigje ftesës time publike për t’u ulur me përfaqësues dhe për t’i dhënë vendit reformën në drejtësi, ashtu siç e meritojnë shqiptarët, dhe jo të një anshme. Opozita e do reformën, është gati të bëjë gjithçka, t’i lëmë llafet, të ulemi dhe t’i japim popullit një drejtësi të reformuar.”
Më tej, kreu i opozitës foli edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, një institucion për të cilin Partia Demokratike akuzon mazhorancën e sotme se nuk dëshiron të miratojë ligjin për ngritjen e saj, pavarësisht se në fakt ka qenë qeveria e sotme dhe veçanërisht Partia Socialiste që e ka propozuar, që prej fushatës së zgjedhjeve të viti 2013. Basha autorizoi Edi Palokën, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, t’i kërkojë Kuvendit gjatë seancës plenare të së enjtes që të miratonte me procedurë të përshpejtuar ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit. “Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, duhet të futet në rendin e ditës të së enjtes në Kuvend, pasi gjithçka për të është rakorduar,” – shtoi Basha.