Partia Demokratike e ka bërë edhe zyrtare qëndrimin e saj për largimin e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Kreu i kësaj force politike ka dalë sot në një deklaratë për mediat, ku ka kërkuar largimin e Tahirit nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vënien e tij para drejtësisë. “Masakra e Elbasanit, është një ngjarje që ka tronditur mbremë të madh e të vogël, – tha Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike. – Një goditje e radhës psikologjikisht për çdo shqiptar, për rendin dhe sigurinë në vend. Është fatkeqësisht e njëjta skenë e përsëritur, me ekzekutues të veshur me uniformë policie, e njëjta lehtësi me të cilën shkrehen armët në publik, në ambjente publike.​ Kjo masakër është këmbana e alarmit që bie jo për herë të parë për rendin dhe sigurinë në vend… Këto ekzekutime mafioze nuk janë thjesht larje hesapesh, siç mundohet të lajë gojën qeveria, por janë produkt i klimës së krijuar në vend, ku krimi, banditët, bandat, pengmarrësit, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit, kanë njohje, kanë mbështetje, kanë lidhje, kanë ministrin. Ndaj lëvizin lirshëm, mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit, vrasin e ekzekutojnë pa asnjë pengesë, pa iu hyrë gjemb në këmbë, si për t’u kujtuar të gjithë shqiptarëve se në qeverisjen e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit krimi ndihet dhe është çdo ditë në pushtet.”

Më pas, lideri i opozitës kërkoi dorëheqjen e Tahirit nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Çdo ditë më shumë e Saimir Tahirit në krye të rendit është festë për bandat, dramë dhe tragjedi për familjet shqiptare, – tha Basha. – Ai duhet të largohet menjëherë nga detyra, sot, tani. Të largohet dhe të vihet para drejtësisë për lidhjet e tij me bandat, krimin dhe trafiqet.”