Në 25-vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, Forumi për Liri dhe Demokraci ka organizuar një aktivitet të titulluar “Politika simbolike, një dialog për qytetarin dhe demokracinë”. Në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar se Shqipëria nuk ka më nevojë për kultin e individit diktatorial por për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet.
“Shqipëria nuk ka nevojë për kultin e individit diktatorial, për kultin e individit që shembëm 20 vite më parë, për simbolin e “njeriut diell” nga e cila varet ekzistenca e çdo robi e çdo skllavi e çdo proletari e çdo demokrati apo çdo socialisti. Nuk ka nevojë për kultin e individit për të cilin duhet të thërrasim “Rroftë udhëheqësi i partisë!”, sa herë marrim në dorë tapitë e legalizimit apo na kthehen si shërbime taksat që na merren nga xhepat tanë. Shqipëria ka nevojë për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet. Individ të lirë, këtij tipari, këtij identikiti të demokracisë perëndimore cili është aksioneri i vërtetë i shtetit, si kontratë i demokracisë i individit që e kupton se shteti nuk disponon asnjë mjet sepse të gjitha mjetet burojnë nga individi,” – theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha.
E ndarë në tri panele me referues pedagogë, analistë, studiues, si: Agron Gjekmarkaj, pedagog dhe analist, dekani i Universitetit të Arteve, skulptori Artan Peqini, përkthyesi dhe shkrimtari Edmond Tupja, shkrimtarja Flutura Açka, studiuesja Prof. Nevila Nika, Prof. Artan Fuga, publicisti Fitim Zekthi, gazetari Alfred Lela, analisti Edvin Kulluri, dipomati Tomorr Alizoti dhe Prof. Asoc. Ardian Isufi, diskutuan për dekomunistizimin dhe 20 shkurtin, komunikimi politik ose kufiri midis simbolikës dhe propagandës sot, instrumentat në shërbim të simbolikës. Në fund të aktivitetit u shpërndanë çmime për esenë dhe imazhin më të mirë “Vendi im, Angazhohem”.





