Gjatë një takimi me banorët e fshatrave Lapardha, Velabisht dhe Urës Vajgurore, në zonën e Beratit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë ku populli varfërohet dhe qeveria pasurohet. “Mijëra familje kanë preokupimin kryesor se si ta mbyllin ditën, sepse lekët janë në duart e një grushti njerëzish, të cilët i kanë bërë ato pallate, saraje, vila, pishina e llogari bankare. Sot, ky është i vetmi vend në Evropë ku populli varfërohet dhe qeveria pasurohet”, tha Basha.

Banorët dhe tregtarët e këtyre zonave u ankuan për mungesën e xhiros në bizneset e tyre, papunësinë dhe varfërinë që sipas tyre, sa vjen e rritet. Në vijim të takimeve të tij, kryetari i PD-së u njoh edhe me shqetësimet e banorëve për rënien e investimeve dhe rritjen e taksave. Në përgjigjen e tij, Basha nënvizoi se, në këto dy vite e gjysmë qeverisje të majtë shqiptarëve u janë vjedhur 400 euro për frymë dhe 1.2 miliard euro të tjerë janë marrë borxh, pa bërë asnjë investim.

“Vendin në këtë situatë e ka katandisur keqqeverisja, mos qeverisja, qeverisja me krimin dhe korrupsioni në qeverisje. Vetëm vitin e kaluar shqiptarëve iu kanë vjedhur 1.2 miliardë euro dhe 400 euro për frymë. Ndërkohë, 1.2 miliard të tjera i kanë marrë borxh këto dy vite e gjysmë, nga të cilat ju nuk keni parë asgjë”, u shpreh Basha.

Duke kujtuar premtimet e pa mbajtura të qeverisë kur ishte në opozitë, si shëndetësia falas apo 300 mijë vendet e punës, Basha shtoi se, kjo është një qeverisje që ka ardhur vetëm për të plaçkitur. “Plaçkitja nuk është reformë. Plaçkitjes dem baba dem ne i themi vjedhje”, u shpreh Basha.